Maliqi ka treguar se ftesën për të qenë pjesë e festivalit e kishte marrë disa muaj më parë dhe e kishte pranuar me shumë kënaqësi, duke shprehur edhe mallin për publikun kosovar.
Ajo e ka vlerësuar rikthimin e emrit “Akordet e Kosovës”, duke e cilësuar festivalin si një ngjarje të rëndësishme për muzikën dhe interpretimin në Kosovë.

“Për Akordet e Kosovës kam dëgjuar si një legjendë, dhe jam shumë e lumtur që ky emër është rikthyer”, ka thënë Maliqi.
Duke vlerësuar organizimin, skenën, orkestrën live dhe atmosferën e festivalit, këngëtarja e ka cilësuar atë si një superorganizim, ndërsa ka shprehur shpresën që ky aktivitet të shërbejë edhe si një mundësi për përfaqësimin e Kosovës në Eurovision.
“Më vjen shumë mirë që Kosova më në fund ka një festival për muzikën, këngën, interpretimin. E di që ky është edicioni i katërt, por ju tanimë keni një eksperiencë të përjetuar, dhe kam përshtypjen se do të jetë një ogur i mirë, pse jo për të përfaqësuar Kosovën në Eurovision”, është shprehur ajo.
Një vëmendje të veçantë Jonida Maliqi i ka kushtuar rikthimit të Natës së Fëmijëve në kuadër të festivalit, duke e vlerësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për kultivimin e talenteve të reja dhe zhvillimin e tyre artistik.
Ajo ka kujtuar edhe fillimet e veta në skenë, në moshën nëntëvjeçare, përmes festivaleve ndërkombëtare të fëmijëve që organizoheshin në Shkodër. Sipas saj, përvoja e fituar që në fëmijëri ndikon drejtpërdrejt në formimin e një artisti, duke i dhënë vetëbesim dhe duke e ndihmuar të ndërtojë një rrugëtim të qëndrueshëm në art.
“Më vjen shumë mirë që e keni rikthyer edhe Natën e Fëmijëve, ku është target grupi i fëmijëve, duke marrë në konsideratë që është një pjesë thelbësore e të krijuarit art edhe për të kultivuar artistët e së ardhmes”, ka deklaruar ajo.
Duke u ndalur te përvoja e saj në Eurovision, Maliqi ka folur edhe për rëndësinë e interpretimit vokal në raport me aspektet e tjera të performancës skenike. Sipas saj, skenat e mëdha kërkojnë materiale muzikore të fuqishme dhe artistë që arrijnë të dëshmojnë vlerat e tyre përmes interpretimit.
Ajo vlerëson se performanca vizuale ka fituar rëndësi në festivalet bashkëkohore, përfshirë Eurovisionin, por thekson se vokali dhe interpretimi mbeten thelbësore për një artist të vërtetë.
“Të kënduarit live të imponon që ti të sjellësh materiale pak më pompoze, më të fuqishme. Unë nuk jam kundër komercialitetit, por skena e madhe mbi të gjitha merr në konsideratë vokalin, interpretimin dhe pastaj anën tjetër të performancës. Performanca sigurisht që vlerësohet jashtëzakonisht shumë në kohët e fundit, edhe në Eurovision, por mendoj se nuk është dominante dhe nuk do të jetë kurrë për sa i takon një artisti të vërtetë. Nëse nuk ke vokal, mbetesh një performues shumë i mirë”, ka thënë Maliqi.
Ajo i sheh festivalet si ura lidhëse që mund t’u hapin artistëve rrugën drejt skenave më të mëdha, ndërsa konkurrencën e konsideron pjesë të domosdoshme të zhvillimit profesional. Sipas saj, gara i shtyn artistët të nxjerrin në pah potencialin e tyre dhe t’i përballojnë me maturi si sukseset, ashtu edhe humbjet.
“Gara të bën që ti të luftosh jo me inat, por përkundrazi të nxjerrësh vlerat e tua në maksimumin e mundshëm. Dhe të mësohesh edhe atëherë kur humb, edhe atëherë kur fiton”, është shprehur ajo.
Përtej vlerësimit profesional për festivalin, paraqitja në “Akordet e Kosovës” kishte edhe një dimension emocional për këngëtaren. Ajo ka kujtuar se hapat e parë të karrierës i kishte bërë edhe në Kosovë dhe se rikthimi në sallën “1 Tetori”, pas 15 vjetësh, kishte një domethënie të veçantë për të.
Duke krahasuar emocionet e paraqitjes në Eurovision me ato të rikthimit në skenën kosovare, Maliqi ka thënë se përvoja ndër vite nuk i zhduk emocionet, por e rrit ndjenjën e përgjegjësisë ndaj publikut dhe interpretimit.
“Në Eurovision, për hir të së vërtetës, na është dashur të qëndrojmë në Tel Aviv 15 ditë dhe 15 ditë kishim prova intensive, prej të cilave kishte edhe prova me publik. Dalja në skenë ishte si një provë gjenerale. Ndërsa këtu, nëse rikthehem pas kaq vitesh në Kosovë, e kam përgjegjësinë shumë të madhe. Sa herë rikthehem në skenë, emocioni vjen dhe rritet, ashtu sikurse me vitet rritet edhe përgjegjësia”, ka rrëfyer ajo.
Në fund, Maliqi ka inkurajuar artistët që të jenë pjesë e festivaleve dhe aktiviteteve kulturore të vendeve të tyre, duke e konsideruar pjesëmarrjen në to një kontribut të rëndësishëm për artin dhe kulturën.
Burimi: RTKLive




