Aeroplani i Vulinit kthehet mbrapsht pasi ishte nisur për në Moskë

Aeroplani i Vulinit kthehet mbrapsht pasi ishte nisur për në Moskë

Aeroplani i Vulinit kthehet mbrapsht pasi ishte nisur për në Moskë

Ngjarja ndodhi të martën në mbrëmje, kur aeroplani i tipit Airbus A320, me numër fluturimi JU134, u nis nga aeroporti “Nikola Tesla” në Beograd rreth orës 18:48.

Pasi arriti mbi jugun e Lituanisë, pranë kufirit me Bjellorusinë, aeroplani ndryshoi drejtimin dhe u kthye në Beograd, ku u ul rreth orës 22:00.

Sponsor 3M Express

Fluturimi tërhoqi vëmendje të madhe dhe u bë një nga më të ndjekurit në platformën e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24.

Dyshimet për anashkalimin e kontrolleve të sigurisë

Sipas portalit serb Nova.rs, kthimi i aeroplanit ndodhi pasi u konstatua se Aleksandar Vulin, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), dyshohet se kishte hipur në të pa kaluar kontrollin e detyrueshëm të sigurisë.

Sipas këtij mediumi, drejtori i sigurisë korporative të Aeroportit të Beogradit, Milan Kuq, pasi shqyrtoi pamjet e kamerave të mbikëqyrjes, konstatoi parregullsi në procedurat e kontrollit dhe urdhëroi kthimin e aeroplanit.

Nova.rs raportoi se Vulin dyshohet të ketë marrë ndihmë për të anashkaluar procedurat e sigurisë. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet e aeroportit.

Air Serbia konfirmoi se vendimi për kthimin e aeroplanit u mor pasi kompania kishte marrë informacion nga shërbimet kompetente të aeroportit, të cilat kërkonin kontrolle shtesë të sigurisë për një pasagjer. Kompania nuk e identifikoi pasagjerin dhe as nuk dha hollësi të tjera për parregullsinë e dyshuar.

Vulin: Po udhëtoja për marrëveshjen e gazit me Rusinë

Aleksandar Vulin konfirmoi se ndodhej në aeroplan dhe deklaroi se udhëtimi drejt Moskës kishte karakter zyrtar.

Ai tha se po udhëtonte për të diskutuar vazhdimin e marrëveshjes së furnizimit me gaz ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.

Vulin deklaroi se gjatë fluturimit kishte qenë në gjumë dhe ishte zgjuar vetëm pasi aeroplani ishte kthyer në Beograd.

Sipas tij, pas uljes, të gjithë pasagjerët iu nënshtruan sërish kontrolleve të sigurisë, ndërsa ai vetë kaloi edhe një kontroll të veçantë.

“Tek unë nuk është gjetur asgjë e paligjshme”, deklaroi Vulin, duke i cilësuar raportimet si gënjeshtra dhe duke pretenduar se bëhej fjalë për një përpjekje për ta vënë nën presion.

Vulin ka qenë ministër i Brendshëm dhe i Mbrojtjes në Serbi, si dhe drejtor i BIA-s. Ai është një nga figurat politike serbe me qëndrime të afërta me Moskën dhe është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara që nga korriku i vitit 2023.

Bajatoviq konfirmon udhëtimin për çështjet e gazit

Edhe Dushan Bajatoviq, drejtor i kompanisë shtetërore të gazit Srbijagas, konfirmoi se ndodhej në aeroplan.

Në një intervistë për televizionin N1, ai tha se po udhëtonte drejt Moskës për të diskutuar çështje të furnizimit me gaz, nevojat e Serbisë për sasitë shtesë gjatë dimrit dhe problemet me pagesat përmes bankave ruse.

Bajatoviq përmendi në veçanti vështirësitë që lidhen me Alta Bankën.

Ai tha se pas kthimit në Beograd, të gjithë pasagjerët dhe bagazhet iu nënshtruan kontrolleve të hollësishme. Shtoi se nuk i dinte arsyet e udhëtimit të Vulin dhe Nenad Popovićit drejt Moskës.

Edhe Nenad Popoviq nën sanksione amerikane

Në aeroplan ndodhej edhe Nenad Popoviq, lider i Partisë Popullore Serbe dhe ish-ministër në qeverinë e Serbisë.

Popoviq ka interesa të shumta biznesi në Rusi dhe gjithashtu figuron në listën e sanksioneve amerikane.

Ndërkaq, Bajatović është një nga zyrtarët kryesorë të sektorit energjetik serb dhe ka qenë i përfshirë në marrëveshjet e furnizimit me gaz ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Ai është gjithashtu konsull nderi i Rusisë në Novi Sad.

Pas kontrolleve në Beograd, udhëtimi drejt Moskës vazhdoi me një fluturim tjetër të Air Serbia. Sipas të dhënave të Flightradar24, fluturimi JU130 u nis nga Beogradi më 4 nëntor, në orën 04:42, dhe mbërriti në Moskë në orën 07:24.Ngjarja ka nxitur reagime edhe në Serbi. Analisti politik serb Aleksandar Gjokiq, në një reagim në platformën X, i ka cilësuar Vulin, Popović dhe Bajatović si tre bashkëpunëtorë të presidentit Aleksandar Vuçiq, duke vënë në pah lidhjet e tyre me Rusinë.

Sipas Gjokiqit, Vulin ka pasur marrëdhënie të afërta me Nikolai Patrushevin, ish-shefin e Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB). Analisti pretendon se Vulin i kishte ndarë me Patrushevin përgjime të figurave të opozitës ruse dhe kishte ndihmuar në krijimin e një ekipi të përbashkët serbo-rus për monitorimin e aktivistëve.

Për Nenad Popoviqin,Gjokiqi thotë se një pjesë të madhe të pasurisë e ka krijuar përmes bizneseve në Rusi, ndërsa për Dushan Bajatoviqin thekson se ai është konsull nderi i Rusisë në Novi Sad.

Analisti rikujton gjithashtu se Vulin dhe Popoviq janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

 

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Demokratët marrin kontrollin e Kongresit amerikan, goditje e madhe politike për Trumpin

Demokratët marrin kontrollin e Kongresit amerikan, goditje e madhe politike për Trumpin

E kërkuan Barcelona dhe Real Madridi, Fabrizio Romano zbulon kush po prin garën për JJ Gabriel

E kërkuan Barcelona dhe Real Madridi, Fabrizio Romano zbulon kush po prin garën për JJ Gabriel

10-vjeçarja e abuzuar seksualisht nga njerku dërgohet në spital me dhimbje barku, zbulon se është gjashtë muajshe shtatzënë

10-vjeçarja e abuzuar seksualisht nga njerku dërgohet në spital me dhimbje barku, zbulon se është gjashtë muajshe shtatzënë