Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në trajtimin e rastit të saj.

Abdixhiku ka thënë se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga shteti dhe e kishte paralajmëruar Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para se të vritej.
“Arlinda kërkoi të jetonte. Kërkoi mbrojtje nga shteti. Tri ditë para se të vritej, e paralajmëroi Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se letra e Arlindës, e cila tashmë është bërë publike, dëshmon se ajo kishte kërkuar ndihmë para se të vritej.
“Është e padurueshme të lexosh fjalët e një gruaje që kërkon ndihmë, teksa ndjenë pafuqinë e zanit të saj. Ato fjalë godasin secilin prej nesh, si prind, si vëlla, si fëmijë, si bashkëqytetar”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së ka kërkuar që të hetohet çdo veprim dhe mosveprim institucional lidhur me rastin, duke theksuar se secili zyrtar që është marrë me kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari.
“Secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet që ka lënë pa përmbushur. Përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, duke thënë se mbrojtja duhej t’i ishte ofruar Arlindës sa ishte gjallë.
“Asaj i detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë. Për të gjallë, mbrojtje nuk pati! Tani i detyrohemi drejtësi”, ka theksuar Abdixhiku.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta publike dhe thirrje për llogaridhënie institucionale.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima ishte raportuar fillimisht si rast i dhunës në familje dhe ishte intervistuar në stacionin policor në Pejë. Më vonë, policia ishte njoftuar se ajo ishte gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në Vitomiricë.
Sipas të dhënave fillestare të policisë, dyshohet se vdekja e saj është shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë. Personi i dyshuar për vrasjen, i cili dyshohet të jetë kunati i saj, ndodhet në arrati, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë. /Telegrafi/




