Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që Ligji për Dhomat e Specializuara të rikthehet në Kuvend për rishqyrtim.
Përmes një postimi, Abdixhiku ka kritikuar PDK-në për mënyrën se si, sipas tij, e ka sulmuar LDK-në për qëndrimin e saj ndaj këtij ligji, duke rikujtuar se anëtarët e partisë së tij ishin quajtur tradhtarë dhe kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?
Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!
LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës.
Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë! Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Veç duhet kohë.
Lufta e UÇK-së është e shenjtë.
Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu”, ka shkruar Abdixhiku.
Burimi: Dukagjini




