Lista Studentore do të vazhdojë dialogun për Kosovën dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të nënshkruar në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka thënë Ilija Srdanoviq, bartës i listës që fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 25 tetor.

Në një intervistë për programin “Uvid” të Radio Evropës së Lirë (RSE), ai tha se qeveria e re do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga qeveria e Aleksandar Vuçiqit.
Srdanoviqi tha se vazhdimi i dialogut për Kosovën është pjesë thelbësore e planit të studentëve.
Megjithatë, ai theksoi se qëndrimet e listës për këtë çështje bazohen në Kushtetutën e Serbisë.
I pyetur nëse kjo nënkupton vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, ai u përgjigj se Lista Studentore do të mbetet e hapur për dialog dhe për zgjidhjen e çështjeve në interes të qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Sa i përket Marrëveshjes së Brukselit, ai tha se marrëveshjet e arritura nga zyrtarët serbë mund të rishqyrtohen për të vlerësuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.
I pyetur nëse qeveria e re do të ishte e gatshme të zhvillonte bisedime drejtpërdrejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Srdanoviqi tha se vendimet do të merren pasi të formohet qeveria.
Ai nuk dha një përgjigje përfundimtare lidhur me mundësinë e ekstradimit të Milan Radoiçiqit në Kosovë, duke thënë se çështjet e tilla do të trajtohen në përputhje me procedurat ligjore të Serbisë.
Srdanoviqi është bartës i Listës Studentore, në bazë të vendimeve të plenumeve të fakulteteve në Serbi. Lëvizja, e cila u krijua nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, kishte si strategji ndërtimin e një organizimi pa lider të vetëm. /Telegrafi/




