Bota është në rrugën për të regjistruar vitin më të nxehtë në histori, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe fenomenit natyror El Niño, paralajmërojnë shkencëtarët.

Sipas grupit kërkimor amerikan Berkeley Earth, ekziston 95 për qind mundësi që viti 2026 të tejkalojë rekordin e mëparshëm të temperaturave, të shënuar në vitin 2024.
Ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) vlerëson se 2026 do të jetë ndër katër vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë. Sipas saj, fenomeni El Niño pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2027, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të temperaturave, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Shkencëtarët theksojnë se shkaktari kryesor i ngrohjes globale është rritja e përqendrimit të dioksidit të karbonit në atmosferë, kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile.
Paralajmërimet vijnë në kohën kur në Turqi ka nisur samiti i OKB-së për klimën, COP31, ku për dy javë liderët botërorë do të diskutojnë masat për uljen e emetimeve, zgjerimin e energjisë së ripërtëritshme dhe përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.
Sipas parashikimeve aktuale, planeti mund të përballet me ngrohje prej 2.8 gradësh Celsius deri në fund të këtij shekulli, duke tejkaluar ndjeshëm objektivin prej 1.5 gradësh të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit.




