Me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nderuar veprën e atdhetarëve dhe intelektualëve që e bënë alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe themel të përbashkimit kombëtar dhe të përparimit arsimor e kulturor, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate zyrtare, ekzekutivi ka kujtuar me mirënjohje figurat kyçe të kësaj ngjarjeje historike, duke veçuar Mithat Frashërin si kryetar të Kongresit, Gjergj Fishtën si kryetar të Komisionit të Alfabetit, si dhe Parashqevi Qiriazin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Shahin Kolonjën, Gjergj Qiriazin e delegatët e tjerë.
Po ashtu, Qeveria ka vlerësuar lart përkushtimin e Sevastie Qiriazit dhe të gjithë familjes Qiriazi, punën e klubit “Bashkimi” të Manastirit, si dhe kontributin e shoqërive e klubeve shqiptare që mundësuan këtë arritje madhore.
Sipas Qeverisë, Kongresi i Manastirit dëshmoi fuqinë e organizimit dhe të dijes në shërbim të lirisë, ku dallimet u kapërcyen në emër të një qëllimi të përbashkët: që shqiptarët të mësonin, të shkruanin dhe të ndërtonin të ardhmen në gjuhën e tyre.
Në njoftim theksohet se përgjegjësia e institucioneve sot është vazhdimi i kësaj pune përmes arsimit publik cilësor, mbështetjes për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, ngritjes së cilësisë së mësimdhënies, kujdesit për gjuhën shqipe në institucione, si dhe krijimit të mundësive të qëndrueshme për mësimin e saj në mërgatë.
“Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez. Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”, thuhet në fund të reagimit të Qeverisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





