Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është shtet më vete, por jo e shkëputur nga kombi shqiptar.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalimin e tij, Kurti tha se marrëdhëniet me Shqipërinë janë konsideruar gjithmonë vëllazërore dhe strategjike për kombin shqiptar.
“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, deklaroi Kurti.
Ai foli edhe për bashkëpunimin mes dy shteteve, duke bërë të ditur se deri më tani janë nënshkruar, zbatuar ose janë në proces zbatimi 190 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas Kurtit, këto marrëveshje përfshijnë fusha si arsimi, ekonomia, energjia, infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, siguria, kultura dhe diaspora.
Kurti foli edhe për aspiratën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, duke përmendur shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, çlirimin e Kosovës më 1999 dhe shpalljen e pavarësisë së saj më 2008.
Ai tha se Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi se vendi ka përmbushur për katër vjet rresht kriterin e investimeve prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor në siguri.
Burimi: Insajderi





