Qytetarët e Kosovës që synojnë të punësohen në Zvicër gjatë vitit 2027 do të vazhdojnë t’u nënshtrohen kuotave ekzistuese të lejeve të punës, pasi Qeveria zvicerane ka vendosur të mbajë të pandryshuar numrin e lejeve për punëtorët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian dhe EFTA-s.

Në mbledhjen e mbajtur më 25 nëntor, Këshilli Federal i Zvicrës vendosi që edhe gjatë vitit 2027 të mund të rekrutohen deri në 8,500 punëtorë dhe specialistë të kualifikuar nga vendet e treta, kategori në të cilën përfshihen edhe Kosova dhe Shqipëria.
Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë zvicerane, në dispozicion do të jenë 4,500 leje qëndrimi të tipit B dhe 4,000 leje qëndrimi afatshkurtra të tipit L, shkruan Telegrafi.
Rregullorja e ndryshuar për pranimin, qëndrimin dhe punësimin do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Gjithashtu, të pandryshuara do të mbeten 3,500 lejet për ofruesit e shërbimeve nga vendet e BE-së dhe EFTA-s, si dhe 3,500 lejet e rezervuara për punëtorët nga Mbretëria e Bashkuar.
Kuotat e punësimit nuk po shfrytëzohen plotësisht
Sipas Këshillit Federal, gjatë viteve të fundit kuotat në dispozicion nuk janë shfrytëzuar plotësisht.
Në vitin 2025, kompanitë zvicerane kishin shfrytëzuar 69 për qind të kuotave për punëtorët nga vendet e treta, krahasuar me 74 për qind në vitin 2024.
Ndërkaq, deri në fund të shtatorit 2026, kantonet kishin kërkuar rreth 50 për qind të kuotave të disponueshme për këtë kategori.
Cilat janë kushtet për t’u punësuar në Zvicër?
Kompanitë zvicerane mund të punësojnë punëtorë nga vendet jashtë BE-së dhe EFTA-s, me kusht që të dëshmojnë se përpjekjet për të gjetur specialistë vendas apo nga vendet e BE-së dhe EFTA-s kanë qenë të pasuksesshme.
Duke mbajtur të pandryshuara kuotat, Këshilli Federal synon t’i ofrojë ekonomisë zvicerane siguri në planifikim, duke marrë parasysh situatën gjeopolitike, nevojat e kompanive dhe gjendjen aktuale të tregut të punës.
Shkalla e papunësisë në Zvicër në shtator të vitit 2026 ishte 3 për qind, një rritje prej 0.2 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin paraprak.
Çfarë do të thotë kjo për Kosovën pas marrëveshjes me EFTA-n?
Vendimi i Qeverisë zvicerane vjen afro dy muaj pasi ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, në kuadër të Asociacionit Evropian të Tregtisë së Lirë (EFTA), përcjell Telegrafi.
Marrëveshja ishte nënshkruar më 22 janar 2025 në Davos, ndërsa me Zvicrën dhe Lihtenshtajnin hyri në fuqi më 1 tetor 2026.
Megjithëse marrëveshja hap mundësi të reja për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, ajo nuk nënkupton anëtarësimin e Kosovës në EFTA apo qasje të lirë në tregun zviceran të punës.
Rrjedhimisht, qytetarët e Kosovës që synojnë të punësohen në Zvicër do të vazhdojnë t’u nënshtrohen kuotave dhe kritereve të përcaktuara për shtetasit e vendeve të treta.
Kuota prej 8,500 lejesh nuk është e rezervuar vetëm për qytetarët e Kosovës, por vlen për të gjithë punëtorët e kualifikuar nga vendet jashtë BE-së dhe EFTA-s./Telegrafi/





