Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj iu përgjigj pyetjeve të deputetes së Aleancës, Time Kadrijaj, e cila kërkoi sqarime nëse Qeveria i ka siguruar votat e nevojshme për miratimin e Kodit Civil, veçanërisht për dispozitat që lidhen me martesën, bashkësinë familjare dhe të drejtat e personave me orientime të ndryshme seksuale.
Zulfaj bëri të ditur se nga 22 hapat e mbetur në kuadër të reformave të Planit të Rritjes, dy prej tyre janë në kompetencë të Kuvendit, ku përfshihet edhe miratimi i Kodit Civil.

Ai nuk dha ndonjë garanci për sigurimin e votave, por u shpreh me shpresë se deputetët do të arrijnë pajtim për vlerat e përfaqësuara në këtë dokument.
“Është përgjegjësi e Kuvendit që ta kalojë. Shpresoj që të ketë konsensus shoqëror në lidhje me vlerat që janë të përfaqësuara në Kodin Civil”, deklaroi Zulfaj.
Gjatë diskutimit, Kadrijaj ngriti edhe çështjen e perspektivës evropiane të Kosovës, duke pyetur për mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zhvillimet politike në Serbi dhe ndikimin e tyre në raportet me Kosovën.
Lidhur me integrimin evropian, Zulfaj vlerësoi se Kosova nuk ka ndonjë kriter të papërmbushur që do të përbënte pengesë për hapjen e negociatave për anëtarësim. Sipas tij, vendimtare në këtë proces mbetet vullneti politik dhe uniteti brenda Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se Kosova qëndron më e avancuar në aspektin zhvillimor krahasuar me disa vende të rajonit që tashmë kanë përparuar në procesin e integrimit evropian.
Ndërkaq, për dialogun Kosovë-Serbi, zgjedhjet në Serbi, Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, si dhe pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-në, Zulfaj tha se këto çështje nuk bëjnë pjesë në fushën e tij të përgjegjësisë.
Ai sugjeroi që për temat që lidhen me dialogun Kosovë-Serbi të kërkohen sqarime nga kryenegociatori përgjegjës për këtë proces.
Zulfaj gjithashtu bëri thirrje për unitet në agjendën e reformave, duke theksuar se përmbushja e tyre mbetet e rëndësishme për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Burimi: RTKLive




