Detaje të reja nga operacioni ushtarak amerikan “Midnight Hammer”, i zhvilluar në qershor të vitit 2025 kundër objekteve bërthamore të Iranit, janë bërë publike përmes një raporti të revistës ushtarake amerikane “Air & Space Forces Magazine”.

Raporti sjell rrëfime të pilotëve të bombarduesve strategjikë B-2, të cilët morën pjesë në misionin e fshehtë që kishte në shënjestër objektet bërthamore në Fordow dhe Natanz, duke zbuluar përgatitjet shumëvjeçare, manovrat e mashtrimit dhe momentet e sulmit.
Një nga momentet më dramatike ndodhi në orët e para të 22 qershorit 2025, kur njëri prej pilotëve, pas rreth 18 orësh fluturimi, pa dritat e qytetit poshtë avionit dhe reagoi me habi: “Zoti im, është Teherani!”.
Pak minuta më vonë, bombarduesi B-2 hapi hapësirën e armëve dhe lëshoi dy bomba gjigante depërtuese, me peshë rreth 13.6 tonë secila, drejt objektit bërthamor nëntokësor në Fordow.
Sipas rrëfimit të pilotëve, rreth 15 sekonda pas lëshimit të bombave, një shpërthim i fuqishëm ndriçoi malet iraniane, duke e kthyer natën në ditë.
15 vjet përgatitje për sulmin
Sipas raportit, planifikimi për goditjen e objektit në Fordow kishte nisur që në vitin 2009, kur inteligjenca amerikane identifikoi ndërtime të dyshimta në malet në jugperëndim të Teheranit.
Për rreth 15 vjet, ekspertët amerikanë studiuan strukturën e objektit dhe zhvilluan armë të specializuara për të depërtuar në bunkerë dhe struktura të fortifikuara nëntokësore. Një prej elementeve kryesore ishte bomba GBU-57, të cilën mund ta transportonte vetëm bombarduesi B-2.
Për të mbajtur të fshehtë misionin, ushtria amerikane organizoi edhe një operacion mashtrimi, duke krijuar përshtypjen se disa bombardues po drejtoheshin drejt Guamit dhe Diego Garcias, ndërsa shtatë B-2 u nisën nga baza ajrore Whiteman në Misuri drejt objektivave iraniane.
Sekreti ishte aq i madh, saqë as familjarët e pilotëve nuk e dinin destinacionin e vërtetë. Njëri prej tyre, i identifikuar me nofkën “Alpha”, tregoi se nuk i kishte treguar as bashkëshortes për misionin.
“Thjesht shkova në punë dhe nuk u ktheva më”, rrëfeu ai.
37 orë në ajër dhe përfshirja e Izraelit
Misioni ishte një sprovë e jashtëzakonshme për ekuipazhet, të cilat qëndruan rreth 37 orë në ajër. Gjatë fluturimit, bombarduesit u furnizuan disa herë me karburant, ndërsa pilotët alternonin periudhat e pushimit për të përballuar lodhjen.
Në operacion morën pjesë rreth 125 avionë, përfshirë bombardues B-2, avionë luftarakë F-22 dhe F-35, si dhe avionë furnizues me karburant.
Raporti përshkruan edhe rolin e Izraelit, sulmet e të cilit ndaj Iranit, të nisura më 13 qershor 2025, kishin dëmtuar sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore.
Sipas pilotit “Alpha”, avionët izraelitë F-35 dhe F-15 kishin neutralizuar shumë kërcënime, duke e bërë më të sigurt misionin e bombarduesve amerikanë.
Përveç Fordow dhe Natanz, objekti bërthamor në Isfahan u godit me raketa Tomahawk të lëshuara nga një nëndetëse amerikane.
Trump e bëri publik sulmin, ndërsa avionët ishin ende në kthim
Pas përfundimit të sulmit, bombarduesit u larguan nga hapësira ajrore iraniane. Gjatë kthimit, ekuipazhet mësuan se operacioni ishte bërë publik dhe se mediat po raportonin për bombardimet.
Presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, kishte njoftuar sulmin ndërkohë që avionët ishin ende në rrugën e kthimit drejt bazës në Misuri.
Pas rreth 37 orësh fluturimi, pilotët u kthyen në bazë, ku iu nënshtruan kontrolleve mjekësore dhe morën pjesë në një informim të klasifikuar për rezultatet e misionit. Në atë moment, disa prej tyre mësuan edhe emrin zyrtar të operacionit: “Midnight Hammer”.
Në total, gjatë operacionit u lëshuan 14 bomba depërtuese, me peshë të përgjithshme rreth 190 tonë, ndërsa objektivat në Isfahan u goditën me raketa Tomahawk.
Vlerësimet pas sulmit treguan dëme të konsiderueshme në kapacitetet bërthamore të Iranit, megjithëse shkalla e saktë e shkatërrimit mbeti objekt diskutimi.
David Albright, ish-inspektor i armëve i Kombeve të Bashkuara dhe president i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, deklaroi se programi iranian i centrifugave, në formën që kishte para sulmit, kishte pushuar së ekzistuari dhe se kishin mbetur kryesisht rrënoja.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





