Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të dielën se Shtetet e Bashkuara duan të ndërmjetësojnë një raund të ri bisedimesh me Ukrainën dhe Rusinë për t’i dhënë fund luftës katër-e-gjysmë-vjeçare dhe për t’i zhvilluar ato deri në fund të tetorit.
Përpjekjet për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja kanë ngecur kryesisht, pasi vëmendja e Uashingtonit është zhvendosur te konflikti me Iranin dhe ndërsa Ukraina thotë se Rusia ka shtuar sulmet ajrore në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta.
“Pala amerikane është aktualisht në kontakt me Ukrainën dhe Rusinë dhe po propozon që të mbahet një takim në nivel teknik në format trepalësh deri në fund të tetorit”, u tha Zelensky gazetarëve të dielën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai theksoi se kishte biseduar me negociatorët amerikanë të shtunën.
“U konfirmova atyre se pala jonë është e gatshme ta mbështesë këtë afat kohor”, shtoi ai.
Zelensky nuk tregoi se ku do të zhvilloheshin bisedimet, por tha se Ukraina ishte “e hapur për Emiratet ose një vend tjetër të propozuar nga pala amerikane”.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pritur në të kaluarën bisedime të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, që synonin t’i jepnin fund pushtimit rus.
Kremlini tha muajin e kaluar se bisedimet trepalëshe për t’i dhënë fund luftës mund të zhvilloheshin në tetor.
“Ne nuk e përjashtojmë një mundësi të tillë; po flasim për të ardhmen e afërt”, citohej të ketë thënë në atë kohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nga agjencitë ruse të lajmeve Ria dhe Tass.
Raundet e mëparshme të bisedimeve nuk kanë sjellë përparim të prekshëm drejt paqes, pasi Moska nuk ka treguar gatishmëri për të hequr dorë nga kushtet e saj maksimale për t’i dhënë fund luftimeve. /Telegrafi/




