Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është e çuditshme që presidenti amerikan Donald Trump i referohet homologut rus, Vladimir Putin, si “miku im”, duke e krahasuar këtë qëndrim me një situatë hipotetike ku dikush do ta quante Adolf Hitlerin mik gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në një intervistë për BBC-në, Zelensky tha se Trump është i lirë të shprehet si të dëshirojë, por e cilësoi si të çuditshme mënyrën se si ai i drejtohet Putinit.
“Ai është agresor… dhe vrasës. Nuk mund të jetë mik”, deklaroi Zelensky në gjuhën angleze.
“Është njësoj sikur dikush të thoshte gjatë Luftës së Dytë Botërore se Hitleri ishte një mik i mirë. Jo, ai nuk është mik”, shtoi presidenti ukrainas.
Sipas Reuters, deklaratat e Zelenskyt vijnë një javë pasi Trump e kishte përshëndetur Putinin si “mikun tim” gjatë një samiti në Kinë. Disa ditë më vonë, presidenti amerikan publikoi në platformën e tij Truth Social një fotografi ku të dy shfaqeshin duke shtrënguar duart në këtë takim, të cilën e shoqëroi me mbishkrimin: “Miku im”.
Marrëdhëniet mes Trumpit dhe Zelenskyt kanë qenë prej kohësh të tensionuara. Përplasja më e bujshme publike mes tyre ndodhi në shkurt të vitit 2025, kur presidenti amerikan e kritikoi ashpër homologun ukrainas gjatë një takimi në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Kohët e fundit, tensionet mes dy liderëve janë shtuar sërish. Trump ka fajësuar Ukrainën për sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, duke pretenduar se ato kanë ndikuar në rritjen e kostove të energjisë. Ai madje ka kërcënuar me ndërprerjen e mbështetjes informative dhe të inteligjencës për Kievin.
Nga ana tjetër, Zelensky ka deklaruar se qëndrimi i Trumpit po e inkurajon Rusinë të vazhdojë sulmet kundër Ukrainës.





