Një prapaskenë e pazakontë ka dalë në pah rreth transferimit të Bruno Guimaraesit te Arsenali gjatë afatit kalimtar të verës, duke zbuluar një mënyrë të veçantë se si kampi i futbollistit brazilian tentoi të ndikonte në të ardhmen e tij te Neëcastle United.

Mesfushori 29-vjeçar u transferua nga Newcastle te Arsenali për një shumë të raportuar prej 89 milionë eurosh.
Guimaraes ishte njëri prej futbollistëve kryesorë që u larguan nga “St James’ Park” gjatë verës, në një periudhë kur Newcastle humbi edhe Sandro Tonalin dhe Anthony Gordonin.
Braziliani pritet të rikthehet në Newcastle këtë mbrëmje, kësaj radhe si kundërshtar me fanellën e Arsenalit.
Ai ishte transferuar te Newcastle nga Lyoni në janar të vitit 2022, për një shumë që raportohej të arrinte deri në 48 milionë euro. Gjatë qëndrimit në klub, Guimaraes shënoi 31 gola në 195 paraqitje dhe ishte kapiteni që ngriti trofeun e Carabao Cup në vitin 2025, pas fitores ndaj Liverpoolit. Ky ishte trofeu i parë madhor vendor i klubit pas shtatë dekadash.
Sipas një raportimi të The Daily Telegraph, dëshira e Guimaraesit për t’iu bashkuar Arsenalit ishte e njohur, por mënyra se si u tentua të realizohej transferimi ka qenë shumë më e pazakontë nga sa ishte menduar.
Në muajin korrik, Newcastle kishte pranuar një dokument me shkrim nga një ndërmjetës, i cili mbante logon e Arsenalit dhe ku pretendohej se klubi londinez ishte i gatshëm të paguante 54 milionë euro për mesfushorin.
Megjithatë, drejtuesit e Newcastle nuk morën asnjë konfirmim nga Arsenali për këtë ofertë, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të verifikuar vërtetësinë e dokumentit. Pas disa javësh pa përgjigje, “Laraskat” vendosën ta refuzonin atë.
Raportimi zbulon se dokumenti ishte pjesë e një përpjekjeje të kampit të futbollistit për të krijuar presion mediatik ndaj Newcastle, me synimin që klubi të pranonte shitjen e kapitenit të tij. Në të njëjtën kohë, kjo ishte edhe një mënyrë për të qetësuar pakënaqësinë e Guimaraesit, i cili ishte i shqetësuar për mungesën e përparimit në lidhje me të ardhmen e tij.
Bisedimet reale mes Arsenalit dhe Newcastle nisën drejt fundit të korrikut. Sipas The Daily Telegraph, oferta e klubit londinez përbëhej nga rreth 60 milionë euro, të shoqëruara me bonuse në bazë të paraqitjeve dhe sukseseve.
Por Newcastle nuk ishte i gatshëm ta lëshonte kapitenin me këto kushte. Drejtuesit e klubit vendosën një ultimatum: Arsenali duhej të paguante 89 milionë euro pa bonuse shtesë në mënyrë që transferimi të realizohej.
Në fund, marrëveshja u përmbyll dhe Guimaraes u bë pjesë e Arsenalit, ndërsa prapaskena e dokumentit me logon e klubit londinez ka zbuluar një aspekt të panjohur të negociatave./Telegrafi/





