Një krim makabër që tronditi komunitetin shqiptar në Spanjë tre vite më parë, po shkon drejt zbardhjes përfundimtare para drejtësisë spanjolle. Prokuroria ka kërkuar mbi 22 vite burg për 52-vjeçarin e njohur me nofkën “El Seco”, i cili akuzohet se vrau brutalisht 29-vjeçarin nga Vlora, Artjol Ramaj, dhe më pas ia hodhi trupin në pyll për t’u zhdukur nga kafshët e egra.

Sipas detajeve tronditëse që ka publikuar prestigjiozja spanjolle “El País”, gjithçka ndodhi natën e 2 marsit 2023 në Riudarenes të rajonit të Gironës. Artjol Ramaj, i cili kishte shkuar në Spanjë në nëntor të vitit 2022, bashkëjetonte me 52-vjeçarin me inicialet I. B. (i njohur si “El Seco”), ku së bashku ruanin një plantacion marijuane në shtëpinë dykatëshe ku jetonin.
Shkaku banal i krimit: Vetëm 5 euro
Hetimet e gjykatës në Santa Coloma de Farners kanë nxjerrë në pah një motiv tronditës. Marrëdhënia mes viktimës dhe të dyshuarit ishte përkeqësuar prej kohësh dhe shoqërohej me përleshje fizike. Natën kritike, dyshohet se mes tyre shpërtheu një sherr për një shumë prej vetëm 5 eurosh, të cilat 52-vjeçari pretendonte se i riu shqiptar ia kishte vjedhur.
Sipas dosjes së akuzës, “El Seco” e ka sulmuar Artjolin në befasi, teksa ky i fundit ndodhej i shtrirë në shtrat, duke mos i lënë asnjë mundësi mbrojtjeje. Dhuna e rëndë e ushtruar ndaj tij, ku ekspertët identifikuan një traumë të rëndë në kokë dhe tru, rezultoi fatale.
Tentativa për të zhdukur trupin përmes derrave të egër
Pas vrasjes, 52-vjeçari dyshohet se ka vepruar me gjakftohtësi për të zhdukur gjurmët e krimit. Mbetjet mortore të 29-vjeçarit u zbuluan rastësisht vetëm më 17 prill 2023 nga një kalimtar që po shëtiste qenin në një zonë pyjore që shërbente si vendgrumbullim mbeturinash, pranë kompleksit Can Fornaca.
Gjykatësi hetues dyshon se i pandehuri e zgjodhi qëllimisht atë zonë, duke e ditur se frekuentohej nga derra të egër dhe kafshë të tjera, të cilat copëtuan dhe shpërndanë eshtrat e viktimës. Gjendja e skeletizuar dhe dëmtimet nga kafshët bënë që trupi të mos gjendej kurrë i plotë, duke u identifikuar vetëm përmes analizave të ADN-së, çka i dha fund ankthit disamujor të nënës së tij, Valentina Ramaj, e cila shpresonte se i biri ishte rrëmbyer dhe ishte ende gjallë.
Provat që fundosin të dyshuarin
Gjatë hetimeve, policia katalanase (Mossos d’Esquadra) ka siguruar një varg provash materiale:
Pranë eshtrave u gjetën një thikë dhe sende personale të viktimës (peshqir, jastëk, këllëf jorgani dhe qilim) të njollosura me gjak.
Gjurmë gjaku u zbuluan në dhomën e gjumit të viktimës, të cilat i dyshuari kishte tentuar t’i pastronte, si dhe në furgonin me të cilin dyshohet se u transportua trupi.
Gjatë bastisjes së shtëpisë, brenda lavatriçes u gjetën pantallonat e 52-vjeçarit, po ashtu me njolla gjaku.
Kërkesa për dënim dhe pretendimet e mbrojtjes
Çështja tashmë ka kaluar për gjykim me juri. Prokuroria spanjolle ka kërkuar 22 vite e 5 muaj burg për 52-vjeçarin. Nga ana tjetër, dy palët akuzuese që përfaqësojnë familjen e viktimës (nënën dhe motrën në njërën anë, dhe babanë në anën tjetër) kërkojnë dënim maksimal prej 25 vitesh burg, duke përfshirë edhe akuzën për përdhosje të kufomës.
Ndonëse provat duken të rënda, “El Seco” vazhdon të mohojë krimin dhe të deklarohet i pafajshëm. Avokatja e tij ka kërkuar pushimin e çështjes, duke pretenduar se aktakuza bazohet vetëm në supozime dhe prova rrethanore, dhe jo në prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë se klienti i saj është autori i vrasjes.
Burimi: Sinjali





