Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm dialogun për integrim gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor, me synimin që t’u mundësojë qasje në më shumë përfitime të tregut të përbashkët edhe para anëtarësimit në BE.

Në deklaratën e saj pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen ka theksuar se zgjerimi është domosdoshmëri strategjike për Evropën. Ajo ka vlerësuar veçanërisht përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në procesin e negociatave për anëtarësim.
“Po shohim përparim inkurajues. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit të tij. Dhe Shqipëria vazhdon të ecë drejt saj me një ritëm mbresëlënës”, është shprehur ajo.
Von der Leyen ka përmendur gjithashtu përparimin në integrimin ekonomik të rajonit, duke bërë të ditur se katër vende të Ballkanit Perëndimor tashmë janë pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), e cila mundëson transferimin e parave më shpejt dhe me kosto më të ulëta.
Ajo ka njoftuar se muajin e kaluar kanë nisur negociatat për skemën “Roam Like at Home” me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Duke folur për Planin e Rritjes, presidentja e Komisionit Evropian ka bërë të ditur se zbatimi i hapave të reformave nga partnerët e rajonit ka arritur në 63 për qind, krahasuar me 38 për qind sa ishte një vit më parë.
Sipas saj, në javët në vijim Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mund të përfitojnë nga ky proces.
Von der Leyen ka theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke përmendur rritjen e tregtisë ndërmjet vendeve, njohjen e kualifikimeve përtej kufijve dhe lehtësimin e lëvizjes përmes roaming-ut rajonal.
Në përfundim, ajo ka theksuar se suksesi i procesit të zgjerimit duhet të matet përmes ndryshimeve konkrete në jetën e qytetarëve, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe bizneset në rajon.
Burimi: Insajderi





