Emigrantët nga Ukraina dhe Sudani që përfitojnë nga Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme (TPS) do të mund të vazhdojnë përkohësisht të qëndrojnë dhe të punojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, në pritje të një vendimi zyrtar nga administrata amerikane.

Ky status u mundëson personave të qëndrojnë në SHBA kur vendet e tyre përballen me konflikte të armatosura, fatkeqësi natyrore ose rrethana të jashtëzakonshme.
Sipas Reuters, rreth 240 mijë ukrainas janë regjistruar për të përfituar nga kjo mbrojtje, ndërsa numri i përfituesve nga Sudani vlerësohet në 6.800 persona, transmeton Klankosova.tv.
Organizata Global Refuge e mirëpriti vazhdimin e përkohshëm të mbrojtjes, por kërkoi një vendim zyrtar për t’u ofruar siguri përfituesve, familjarëve të tyre dhe punëdhënësve.
“Familjet që varen nga ky status për të qëndruar të sigurta dhe për të vazhduar punën meritojnë një vendim formal, të dokumentuar me shkrim”, deklaroi Krish O’Mara Vignarajah, drejtuese e organizatës.




