Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Kufiri 2”, ku u sekuestruan 136 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria ka bërë të ditur se kërkesa është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve me inicialet A.N. (shtetas i Maqedonisë së Veriut), si dhe T.E. dhe A.C. (shtetas të Kosovës) – emrat e plotë të të cilëve janw, Avdush Nuhiji, Taulant Etemi dhe Albina Cani.
Të tre të pandehurit ngarkohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa T.E. (Taulant Etemi) dyshohet edhe për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Si funksiononte grupi dhe aksidenti gjatë ikjes
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit kishin vepruar në koordinim të plotë dhe me role të ndara paraprakisht për transportimin e drogës.
“Konkretisht, i pandehuri A.N., së bashku me të pandehurën A.C., dyshohet se kanë udhëtuar me automjetin ‘VW Tiguan’, duke përcjellë dhe vëzhguar rrugën para automjetit ‘Audi A6’, në të cilin transportohej substanca narkotike. Kurse, i pandehuri T.E., dyshohet se ka drejtuar automjetin ‘Audi A6’, në të cilin është gjetur substanca e dyshuar narkotike, ndërsa i pandehuri J.B., dyshohet se ka pasur rolin e vëzhgimit të rrugës duke lëvizur përpara automjeteve të tjera”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Gjatë operacionit për ndalimin e tyre, shoferi i automjetit “Audi A6” nuk i është bindur urdhrave të policisë, duke shkaktuar aksident trafiku.
“Pas identifikimit të automjeteve dhe tentimit të ndalimit nga ana e policisë, i pandehuri T.E., nuk u është bindur urdhrave policorë, por ka vazhduar ikjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar edhe aksident trafiku me lëndime ndaj dy personave, kurse, në afërsi të lokalit ‘Milenium’, automjeti ka humbur kontrollin, ku pas ndërhyrjes policore është ndaluar dhe arrestuar i pandehuri T.E., ndërsa në automjet është gjetur substanca e dyshuar narkotike”, njofton Prokuroria Themelore në Ferizaj.
Lexo edhe:
Burimi: Insajderi





