Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka fajësuar pajisjet e vjetra teknologjike për ndërprerjen masive të fluturimeve që ndodhi të premten në të gjithë vendin.

Duke folur të hënën para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë, para nisjes së udhëtimit të tij drejt Azisë, Trump tha se problemi ishte shkaktuar nga pajisjet e vjetruara, të cilat sipas tij kishin pësuar një lloj kolapsi, transmeton IndeksOnline.
“Ajo që patë të premten ishte pajisje shumë, shumë e vjetër që pësoi një sulm në zemër”, deklaroi Trump.
Ndërprerja ndodhi pasi Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin e fluturimeve në të gjithë SHBA-në, për shkak të problemeve në sistemet e komunikimit dhe radarit të kontrollit të trafikut ajror.
Ndalimi zgjati më shumë se katër orë dhe shkaktoi anulimin e mijëra fluturimeve, duke lënë një numër të madh udhëtarësh të bllokuar në aeroporte.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se sistemet e vjetra ishin mbingarkuar nga teknologjia e re që po instalohej, ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të ndërprerjes po vazhdojnë.
Burimi: Insajderi





