Kriminologu, Mensut Ademi ka vlerësuar se vrasjet e fundit brenda familjeve në Kosovë janë tregues të një krize të thellë të vlerave shoqërore dhe një paralajmërim për rrezikun e dezorganizimit të mëtejmë të shoqërisë.
Duke folur në eFive në TV Dukagjini, Ademi ka thënë se shoqëria kosovare ende nuk është pjekur sa duhet për t’i parandaluar rastet e dhunës dhe vrasjeve brenda familjes.

“Ne si shoqëri kemi rënë në një krizë të vlerave shoqërore… koha dhe veçoritë që shkojmë kah dimri, në aspektin kriminologjik janë ato veçoritë e depresionit. po ne kemi qenë në një depresion të thellë familjar në familje. në bazë të këtij dhe i kemi pa gabimet e hapave si shoqëri, se cilat janë kriteret dhe karakteristikat e vetëdijesimit të popullit tonë. kur them popullit, them edukimit të familjes”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka theksuar se vrasjet në familje duhet të shërbejnë si sinjal alarmi për shoqërinë, duke paralajmëruar se, pa ndryshime në vlerat dhe edukimin familjar, rreziku i përshkallëzimit të këtyre rasteve mund të rritet.
“Ne deri tash kemi pasur vrasje në familje dhe ende nuk jemi pjekur si shoqëri, por është një paralajmërim se po shkojmë kah dezorganizimi, ku mund të kemi vrasje mes vëllait e motrës, vrasje masive në familje”, ka thënë ai.
Deklaratat e kriminologut vijnë pas disa rasteve të rënda të vrasjeve brenda familjes të raportuara në Kosovë brenda pak ditësh, përfshirë rastin kur një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllain e saj, si dhe një rast tjetër ku një baba dyshohet se vrau djalin e tij.
Burimi: Dukagjini




