Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Chiarit, në provincën e Breshias në Itali, ku një 21-vjeçar shqiptar dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në banesën familjare, në rrugën Via Tagliata.
Sipas raportimeve të mediave italiane, i dyshuari, Eduart Xhani, është larguar fillimisht nga banesa, ndërsa mëngjesin e së martës është paraqitur vullnetarisht në kazermat e Karabinierëve në Kremona, ku është vetëdorëzuar.
Dyshohet se vetë 21-vjeçari ka njoftuar autoritetet për krimin. Pas marrjes së informacionit, policia ka shkuar në banesë, ku ka gjetur trupin e pajetë të 39-vjeçares.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë specialistët e hetimeve shkencore të Karabinierëve të Breshias, të cilët kanë kryer ekzaminimet për mbledhjen e provave dhe rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.
Autoritetet italiane po hetojnë rrethanat e tragjedisë dhe motivet e mundshme, të cilat deri më tani nuk janë bërë publike.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali




