Ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë Nvidia, Jensen Huang, dyshohet se ka pasur një marrëdhënie intime edhe me një punonjëse të dytë të kompanisë, raporton Reuters, duke iu referuar dy personave të njohur me çështjen.

Ky zbulim vjen pas raportimeve për dy marrëdhënie të tjera jashtëmartesore, të cilat u pasuan me dorëheqjen e tij të enjten, transmeton Klankosova.tv
Sipas Reuters, dy gratë e përmendura në raportimet e mëparshme janë Alice Huang, për të cilën inteligjenca amerikane dyshon se ka lidhje me spiunazhin kinez, dhe Kimberly Powell, nënkryetare e Nvidia-s për sektorin e kujdesit shëndetësor.
Agjencia Reuters nuk e ka bërë të ditur identitetin e punonjëses së dytë.
Nvidia ka refuzuar të komentojë për këtë çështje.
As Jensen Huang, Kimberly Powell dhe as përfaqësuesit e bordit të kompanisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Ndërkaq, Alice Huang nuk është arritur të kontaktohet.
Më 8 nëntor, Jensen Huang kishte pranuar se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore, pas raportimeve për marrëdhënien e tij me Alice Huang, ndonëse nuk e kishte përmendur atë me emër.
Dorëheqja e tij nga drejtimi i Nvidia-s mund të ketë ndikim në industrinë e inteligjencës artificiale, të cilën ai ka ndihmuar ta formësojë.
Kompania ka përdorur fuqinë e saj financiare për të ndërtuar një industri të tërë rreth inteligjencës artificiale, përmes marrëveshjeve financiare që lehtësojnë blerjen e çipave të saj, si dhe investimeve në kompani të kompjuterëve cloud dhe laboratorë të inteligjencës artificiale.
Presioni ndaj Huangut, 63-vjeçar dhe i martuar, për t’u larguar nga detyra ishte rritur pas raportimeve për lidhjen e tij me Alice Huang, transmeton Klankosova.tv
Pas dorëheqjes, bordi i Nvidia-s ka emëruar drejtoreshën financiare, Colette Kress, si udhëheqëse të përkohshme të kompanisë, ndërsa ka nisur procesin për gjetjen e pasuesit të tij.
Në shqyrtim janë kandidatë si nga brenda, ashtu edhe jashtë kompanisë.
Në fillim të këtij muaji, bordi kishte nisur gjithashtu një hetim të udhëhequr nga drejtorë të pavarur dhe këshilltarë të jashtëm ligjorë, për të shqyrtuar nëse Huang ishte shënjestruar nga një operacion i inteligjencës së huaj.
Në atë kohë, bordi kishte shprehur mbështetje për të.
Ndërkohë, aksionet e Nvidia-s ranë për 5.5 për qind të enjten, në një ditë me aktivitet të lartë tregtimi.
Që nga kulmi i arritur në fillim të tetorit, vlera e tyre ka rënë për më shumë se 30 për qind./Klankosova.tv





