Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Katër raste janë raportuar në Gjilan, dy në Ferizaj, një në Pejë dhe një në Malishevë.

Në Gjilan, Policia ka arrestuar katër persona të dyshuar për raste të ndara për dhunë në familje.
Në rastin e parë, më 14 nëntor, është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se kohë më parë kishte ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje kosovare.
Në tri rastet e tjera, të raportuara më 14 dhe 15 nëntor, të dyshuarit janë burra kosovarë. Dy prej tyre dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike ndaj viktimave meshkuj, ndërsa në rastin tjetër dyshohet për dhunë fizike dhe psikike ndaj një burri kosovar.
Dy raste të tjera janë raportuar në Ferizaj, më 15 nëntor. Në të dyja rastet, burrat e dyshuar kosovarë dyshohet se kanë sulmuar fizikisht gratë. Sipas Policisë, viktimat kanë pranuar tretman mjekësor.
Ndërkaq, në Pejë, më 14 nëntor, është arrestuar një burrë kosovar, i cili dyshohet se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe kishte ushtruar dhunë psikike ndaj disa familjarëve të tij. Viktima së bashku me fëmijët është dërguar në strehimore.
Një rast tjetër është raportuar në Malishevë, më 15 nëntor, ku një burrë kosovar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Edhe kjo viktimë ka pranuar tretman mjekësor.
Në të tetë rastet, të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.
Burimi: Dukagjini





