Kosova gjatë vikendit do të ndikohet nga masa të ftohta ajrore, të cilat do të sjellin rënie të temperaturave, vranësira dhe reshje shiu e bore.

Sipas parashikimit meteorologjik të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), të shtunën, më 28 nëntor, pritet të mbajë mot i vranët me reshje shiu dhe bore.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3°C, ndërsa ato maksimale nga 2 deri në 5°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 9 m/s.
Ndërkaq, të dielën, më 29 nëntor, pritet mot kryesisht i vranët me reshje bore. Temperaturat minimale do të zbresin nga -5 deri në -3°C, ndërsa maksimalet do të sillen nga 1 deri në 3°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 6 m/s.
IHMK vlerëson se kushtet biometeorologjike gjatë vikendit do të jenë kryesisht të pafavorshme, si pasojë e temperaturave të ulëta, vranësirave dhe reshjeve.
Ndjesia e të ftohtit pritet të jetë më e theksuar të dielën, veçanërisht në orët e mëngjesit, kur temperaturat do të jenë negative. Era dhe lagështia mund ta shtojnë edhe më shumë ndjesinë e ftohtë.
Sipas IHMK-së, këto kushte mund të shkaktojnë shqetësime te të moshuarit, fëmijët dhe personat më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve meteorologjike, ndaj rekomandohet veshje e përshtatshme dhe shmangie e qëndrimit të zgjatur në ambiente të hapura.
Burimi: Insajderi





