Vrasjet e fundit në Gjilan kanë rikthyer vëmendjen te pasojat psikologjike të humbjeve të rënda dhe mungesa e trajtimit të traumave në shoqëri.

Të premten, në Gjilan u vranë motër e vëlla, ndërsa mbrëmjen e së kaluarës u raportua edhe një vrasje tjetër, ku dyshohet se babai vrau djalin e tij.
Siç u raportua, i dyshuari kishte humbur edhe një djalë tjetër para dy vitesh, në një aksident trafiku.
Lidhur me këto ngjarje ka folur gazetari Vullnet Krasniqi në emisionin “Ora 7”, duke deklaruar se në Kosovë mungon kujdesi i vazhdueshëm psikologjik për familjet që përjetojnë humbje të rënda.
“Çka nuk ndodh te na, por që ndodh nëpër vendet e botës, është që ekziston një kujdes social-psikologjik që kujdeset për këto familje, se si po e përballojnë atë humbje të madhe që e kanë. Te na flasim tri ditë për një aksident, kryhet pamja dhe aty përfundon procesi ynë. Dhe është një mekanizëm i tillë se si ne do t’i trajtonim këto trauma, sepse ne nuk i njohim. Problemi ynë më i madh është se ne refuzojmë ta njohim traumën si diçka që na atakon neve dhe që ndikon shumë tek ne”, u shpreh Krasniqi. /Klankosova.tv




