Në Ministrinë e Ekonomisë është mbajtur takimi i parë i Task-Forcës Ndërinstitucionale për përgatitjen dhe koordinimin e veprimeve gjatë sezonit dimëror 2026/2027, me qëllim të monitorimit dhe vlerësimit të gjendjes së furnizimit me energji elektrike dhe koordinimit të masave për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së furnizimit gjatë kësaj periudhe.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Financave, KEK-ut, ZRrE-së, KEDS-it, KESCO-s dhe KOSTT-it.

“Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale të sektorit të energjisë elektrike, bilancin energjetik, kapacitetet e disponueshme të prodhimit, kërkesën e pritshme për konsum, si dhe mundësitë e furnizimit me energji elektrike gjatë sezonit dimëror”, thuhet në komunikatë.
Ministria bëri të ditur se KOSTT ka rritur kapacitetet e transmetimit ndërkufitar me Shqipërinë për 150 MW dhe me Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi për nga 100 MW.
“KOSTT ka arritur që në bashkëpunim me homologët përkatës të rrisë kapacitetet e transmetimit ndërkufitar me Shqipërinë për 150 MW dhe me Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi për nga 100 MW, si dhe ka filluar koordinimin me KEDS-in për identifikimin dhe trajtimin e pikave të ngushta në rrjet gjatë periudhave me ngarkesë të lartë”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, KEDS ka njoftuar se ka siguruar materialet e nevojshme për mirëmbajtjen dhe intervenimet në rrjet dhe ka realizuar riparimet në nënstacionet përkatëse.
“KEDS ka informuar se ka siguruar materialet e nevojshme për mirëmbajtjen dhe intervenimet në rrjet, ka realizuar riparimet në nënstacionet përkatëse dhe është i gatshëm për menaxhimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave me konsum të lartë të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, KESCO ka njoftuar se po ndërmerr veprimet e nevojshme për sigurimin e kapaciteteve dhe energjisë elektrike për muajin dhjetor.
“KESCO ka njoftuar se po ndërmerr veprimet e nevojshme për sigurimin e një sasie të kapaciteteve dhe energjisë elektrike për të përmirësuar sigurinë e furnizimit gjatë muajit dhjetor”, thuhet në njoftim.
Ministria njoftoi se KEK-u është duke u angazhuar për operim me tri blloqet e Termocentralit “Kosova A” dhe bllokun B2 të Termocentralit “Kosova B”, ndërsa në bllokun B1 po zhvillohen punimet për vendosjen e sistemit të elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx.
“Duke qenë se kontraktori ka bërë të ditur që do të ketë vonesa në realizim, grupi ka vendosur që të ftojë edhe një takim gjatë kësaj jave ku janë ftuar edhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë me qëllim të informimit më të saktë lidhur me zbatimin e këtij projekti”, thuhet në komunikatë.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Task-Forca do të vazhdojë punën dhe koordinimin e rregullt gjatë gjithë sezonit dimëror.
“Task-Forca do të vazhdojë punën dhe koordinimin e rregullt gjatë gjithë sezonit dimëror, me qëllim të identifikimit me kohë të sfidave, vlerësimit të rreziqeve dhe dhënies së rekomandimeve përkatëse, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike në vend”, thuhet në komunikatë.
Burimi: RTKLive




