Një aksident detar ka ndodhur mesditën e së premtes në portin e New Orleansit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një tanker është përplasur me një anije turistike të ankoruar në lumin Misisipi. Pas përplasjes, disa persona kanë përfunduar në ujë, ndërsa ekipet e emergjencës kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit.

Sipas autoriteteve portuale, aksidenti ndodhi rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, kur tankeri “Atlantic Asphalt” u përplas me anijen turistike “American Heritage”, në pronësi të kompanisë “American Cruise Lines”.
Në bordin e anijes turistike ndodheshin më shumë se 130 persona, përfshirë pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.
Menjëherë pas incidentit, ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur ndërhyrjen për shpëtimin e personave të përfshirë. Autoritetet e New Orleansit kanë bërë të ditur se disa persona janë nxjerrë nga uji, ndërsa operacionet kanë vazhduar për të siguruar të gjithë të përfshirët.
Pamjet e publikuara nga dëshmitarët tregojnë momentin kur tankeri i afrohet anijes turistike dhe përplaset me të. Në pamje të tjera shihen persona në ujë, të pajisur me jelekë shpëtimi, ndërsa ekipet e shpëtimit ndërhyjnë për t’i nxjerrë në siguri.
Kompania “American Cruise Lines” ka konfirmuar se pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të anijes “American Heritage” janë evakuuar. Ajo ka bërë të ditur se po bashkëpunon me Rojën Bregdetare amerikane dhe autoritetet lokale.
Sipas raportimeve fillestare, anija turistike ka pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe ka nisur të marrë ujë pas përplasjes. Në komunikimet radio të emergjencave janë raportuar persona në ujë dhe nevoja për ndërhyrje të menjëhershme.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë publikuar një bilanc zyrtar për numrin e personave të lënduar apo gjendjen e tyre shëndetësore. Edhe shkaku i përplasjes mbetet i paqartë dhe është pjesë e hetimeve.
Në reagimin e saj, kompania “American Cruise Lines” është shprehur se është thellësisht e shqetësuar për të gjithë personat e përfshirë në incident.
Ndërkohë, guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, ka njoftuar se është në kontakt me autoritetet lokale dhe se do të udhëtojë drejt New Orleansit. Edhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB) ka konfirmuar se është në dijeni të incidentit.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e aksidentit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





