Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka ndarë momente të veçanta me fëmijët e bashkatdhetarëve shqiptarë në Skoci, të cilët kanë vazhduar ta mbështesin Kombëtaren e Kosovës edhe larg atdheut.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka vlerësuar lidhjen që fëmijët e diasporës ruajnë me Kosovën, duke theksuar rolin e prindërve dhe gjyshërve në kultivimin e dashurisë për vendin.
Në mesin e fëmijëve që takoi ishte edhe Tiar Krasniqi, një talent i ri që ka tërhequr vëmendjen e gjigantit skocez Celtic dhe tashmë është pjesë e akademisë së këtij klubi.
Ademi ka shprehur shpresën që Tiari, i cili sot e shfaq dashurinë për Kosovën, një ditë ta dëshmojë atë edhe në fushën e futbollit, duke veshur fanellën e Kombëtares dardane.
“Momente të tilla, me këta njomakë pranë futbollistëve tanë, janë gjithmonë të veçanta dhe na japin edhe më shumë motiv për të punuar që talentet tona, kudo që rriten, ta ndiejnë Kosovën si shtëpinë e tyre”, ka shkruar Ademi.
Presidenti i FFK-së ka theksuar se është kënaqësi e veçantë të shohësh fëmijët e bashkatdhetarëve që rriten me dashuri për atdheun dhe vazhdojnë ta ruajnë lidhjen me Kosovën, pavarësisht se ku jetojnë. /Telegrafi/





