Protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës, e paralajmëruar për sot në orën 11:30 para objektit të Rektoratit, është anuluar.

Parlamenti Studentor i UP-së ka njoftuar se vendimi për anulimin e protestës është marrë pas caktimit të një takimi me Këshillin Drejtues të Universitetit, ku pritet të diskutohen kërkesat e studentëve dhe thirrja e tyre për reflektim institucional.
Në njoftimin e drejtuar mediave, Parlamenti Studentor ka shprehur pritjen që ky takim të rezultojë me adresimin e kërkesave të tyre dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për zgjidhjen e çështjeve të ngritura.
Protesta ishte paralajmëruar si shenjë pakënaqësie ndaj rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu, dhe mosadresimit të kërkesave të studentëve.
Pakënaqësitë e tyre u shtuan pas bojkotit të mësimit në Fakultetin e Mjekësisë, i cili erdhi si kundërshtim ndaj evidentimit të vijueshmërisë së studentëve përmes kodeve QR.
Reagimet u shtuan edhe pas deklaratave të rektorit Hajrullahu, të cilat studentët i cilësuan si fyese dhe kërcënuese.
Studentët kanë kërkuar kërkimfalje nga rektori, si dhe dorëheqjen e tij.
Burimi: Insajderi




