Sulmet ruse lënë mijëra familje pa energji elektrike në Ukrainë, armëpushimi në Herson drejt përfundimit

Sulmet ruse lënë mijëra familje pa energji elektrike në Ukrainë, armëpushimi në Herson drejt përfundimit

Sulmet ruse lënë mijëra familje pa energji elektrike në Ukrainë, armëpushimi në Herson drejt përfundimit

Një armëpushim i rrallë humanitar në rajonin e Hersonit në Ukrainë, i cili u mundësoi civilëve të largoheshin nga qyteti i pushtuar i Oleshky-t, pritet të përfundojë të dielën në mbrëmje.

Armëpushimi i kufizuar në vijën e frontit ka respektuar që nga hyrja në fuqi javën e kaluar, ndonëse luftimet kanë vazhduar në pjesë të tjera të Ukrainës.

Sponsor 3M Express

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Rusia ka sulmuar gjatë natës infrastrukturën energjetike në katër rajone të Ukrainës, duke lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike.

Ndërkaq, një tjetër sulm gjatë natës ka shkaktuar vdekjen e dy personave, përfshirë një vajzë 13-vjeçare, në rajonin e Vinnytsias, njoftoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës, raporton BBC.

Në anën tjetër, Ukraina ka goditur një prodhues të rëndësishëm të karburantit për raketa në rajonin rus të Rostovit. Sipas Zelenskyt, sulmi shkaktoi zjarr dhe dëmtoi katër objekte prodhimi.

Në Ukrainë, gjatë gjithë ditës kanë vazhduar punimet për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike. Deri në mbrëmje, shumica e konsumatorëve në rajonin e Dnipropetrovskut e kishin rikthyer furnizimin, por më shumë se 60 mijë të tjerë vazhdonin të ishin pa energji.

Për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike, në të gjithë vendin janë vendosur ndërprerje emergjente të energjisë elektrike. Edhe në kryeqytetin Kiev, furnizimi ndërpritet për pjesën më të madhe të ditës, ndërsa janë raportuar probleme edhe me furnizimin me ujë.

Zelensky ka thënë se intensiteti i sulmeve ruse gjatë javës së fundit ka qenë “jashtëzakonisht i lartë”. Sipas tij, Rusia po përpiqet të përfitojë maksimalisht nga mungesa e raketave interceptuese balistike.

Ai ka shtuar se Ukraina çdo ditë u kërkon Shteteve të Bashkuara, vendeve evropiane dhe partnerëve të tjerë furnizim me raketa Patriot, të cilat janë ndër mjetet kryesore për rrëzimin e raketave balistike ruse.

Zelensky i ka falënderuar partnerët për mbështetjen e deritanishme dhe zotimet për ndihmë afatgjatë, por ka kërkuar që ndihma të dërgohet më shpejt.

Armëpushimi në Herson përfundon të dielën në mbrëmje

Armëpushimi i kufizuar në rajonin e Hersonit pritet të përfundojë të dielën në orën 22:59 sipas kohës lokale në Ukrainë (21:00 sipas kohës së GMT-së).

Pauza në luftime, e cila nisi të martën, u arrit me ndërmjetësimin e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, dhe Papa Leos.

Fillimisht, armëpushimi përfshinte vetëm qytetin e Oleshky-t, i cili është nën pushtimin rus që nga ditët e para të invazionit të plotë të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Më pas, ai u zgjerua edhe në pjesë të tjera të rajonit të Hersonit.

Qyteti i Oleshky-t ishte i bllokuar mes lumit Dnipro dhe forcave ruse, ndërsa rrugët e daljes ishin të minuara dhe të ekspozuara ndaj sulmeve me dronë.

Banorët që kishin mbetur të bllokuar po përballeshin me mungesë të madhe të ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike. Për të mbijetuar, disa prej tyre kishin arritur deri aty sa të gatuanin barishte të mbledhura në kopshte.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Nëntë të vdekur nga rrëzimi i një avioni në Florida, mjeti shpërtheu në flakë

Nëntë të vdekur nga rrëzimi i një avioni në Florida, mjeti shpërtheu në flakë

Kolla e vazhdueshme po ju lodh, sidomos natën? Këto mënyra natyrale mund t’ju ndihmojnë, por jo të gjitha veprojnë njësoj

Kolla e vazhdueshme po ju lodh, sidomos natën? Këto mënyra natyrale mund t’ju ndihmojnë, por jo të gjitha veprojnë njësoj

Policia identifikon 19-vjeçarin që voziti me 170 km/h në zonë urbane në Ferizaj

Policia identifikon 19-vjeçarin që voziti me 170 km/h në zonë urbane në Ferizaj