Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës dhe Këshillat Studentorë të fakulteteve kanë paralajmëruar protestë para Rektoratit, në shenjë pakënaqësie ndaj deklaratave të rektorit Arben Hajrullahu.

Përmes një thirrjeje publike, studentët kanë njoftuar se protesta do të mbahet të hënën, duke filluar nga ora 11:30.
Ata kanë bërë të ditur se vendimi për protestë mbetet në fuqi edhe pas takimit të mbajtur sot me Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, ku është diskutuar situata e krijuar pas deklaratave të rektorit.
Sipas studentëve, gjatë këtij takimi Këshilli Drejtues është distancuar nga gjuha e përdorur nga Hajrullahu ndaj tyre. Megjithatë, ata kanë kërkuar që organet përgjegjëse të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre institucionale, duke insistuar që çështja të mos përfundojë vetëm me diskutime, por të pasohet me shkarkimin e rektorit.
Studentët kanë theksuar se, edhe pas disa ditësh nga deklaratat e Hajrullahut, nuk kanë parë as kërkimfalje dhe as tërheqje nga qëndrimet e tij, prandaj kanë vendosur të vazhdojnë me protestën e paralajmëruar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





