Kosova ka kaluar një 24-orësh të ngarkuar me ngjarje të rënda, aksidente trafiku, raste të denoncuara për dhunë e rrëmbim, si dhe aksione të shumta policore që rezultuan me arrestime.

Ferizaj – Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin, ku një fëmijë njëvjeçar ka ndërruar jetë pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua papritur gjatë marrjes së terapisë në repartin e Pediatrisë. Organet kompetente kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj vdekjeje.
Lipjan – Një përleshje fizike mes të miturve në rrugën “Avdi Kelmendi” ka përfunduar me plagosje me thikë, ku 16-vjeçari A.S. është dërguar me urgjencë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK. Policia ka sekuestruar mjetin e mprehtë dhe ka ndaluar për 24 orë katër të mitur (E.B., M.H., E.LL. dhe S.S., të moshave 14 deri në 16 vjeç) – ndaj E.LL. po hetohet vepra penale “Vrasje në tentativë”, ndërsa tre të tjerët për “Pjesëmarrje në rrahje”.
Prishtinë – Pas shtatë muajsh hetime, Policia e Kosovës ka arritur të vërë në pranga të dyshuarin e dytë lidhur me vjedhjen e rëndë te “Prishtina Mall”. Të dyshuarit kishin inskenuar një aksident trafiku për të vjedhur plot 42 mijë euro nga një veturë e tipit BMW, pronë e “Endriti Premium Cars”.
Mitrovicë – Një 21-vjeçare ka raportuar në Polici një rast të rëndë të rrëmbimit dhe abuzimit seksual. Sipas denoncimit, i dyshuari e ka futur viktimën në një automjet tip kombi, ndërsa njësitë policore janë vënë në kërkim të tij.
Hajvali – Katër persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar me urgjencë në QKUK si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku. Më rëndë e ka pësuar një grua, e cila ka marrë fraktura të shumta në krah, brinjë dhe këmbë.
Fushë Kosovë – Një 44-vjeçar është arrestuar menjëherë nga Policia pasi dështoi të hynte në marketin “Maxi”, por theu dhe vodhi lokalin “Valbona”, nga ku mori 19 euro para të gatshme, pije “Golden Eagle”, “Coca-Cola” dhe një shishe uiski.
Deçan – Njësitë policore kanë ndaluar dhe arrestuar një 23-vjeçar në parkingun e qendrës tregtare “Viva Fresh Store”, tek i cili gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua marihuanë e fshehur brenda një pakoje cigaresh.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





