SINJALI 24 | Kosova e trazuar brenda pak orësh: Vrasje e dyfishtë në Gjilan, arsenal armësh, përleshje, dhunë në familje e zjarr me 41 mijë euro dëme

SINJALI 24 | Kosova e trazuar brenda pak orësh: Vrasje e dyfishtë në Gjilan, arsenal armësh, përleshje, dhunë në familje e zjarr me 41 mijë euro dëme

SINJALI 24 | Kosova e trazuar brenda pak orësh: Vrasje e dyfishtë në Gjilan, arsenal armësh, përleshje, dhunë në familje e zjarr me 41 mijë euro dëme

Derisa shumica flinin, Kosova kaloi një ditë të ngarkuar me krime të rënda, dhunë në familje, përleshje, arrestime dhe ndërhyrje policore.

Sponsor 3M Express

Ngjarja më e rëndë ishte vrasja e dyfishtë në Gjilan, ku dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos rëndë, ndërsa gjatë hetimeve u sekuestruan armë dhe qindra fishekë.

Në Podujevë, një përleshje përfundoi me tre të mitur të dyshuar, kurse në Ferizaj u raportua për një shtëpi të demoluar.

Gjilan – Vriten dy persona, plagoset një tjetër, sekuestrohet arsenal armësh

Dy persona, Egzon Bugujevci dhe Nafije Bugujevci, u vranë më 9 tetor në Livoq të Ulët të Gjilanit, ndërsa Mazllum Bugujevci mbeti i plagosur rëndë. I dyshuari, Valon Ramushi, u vetëdorëzua në Polici pak minuta pas ngjarjes dhe u ndalua për 48 orë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në veturën e tij u sekuestrua një pistoletë e tipit “Beretta”, me të cilën dyshohet se u krye krimi. Leja e armës kishte skaduar në shtator të vitit 2024.

Gjatë tri bastisjeve në pronat e të dyshuarit, Policia gjeti edhe armë të tjera, përfshirë një pistoletë pa leje, dy armë të gjata me leje të skaduara, një armë pneumatike dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm. U sekuestruan gjithashtu telefona dhe pajisje për incizimin e kamerave të sigurisë.

Ramushi dyshohet se vrau bashkëshorten e tij, Nafije Bugujevci, dhe vëllain e saj, Egzon Bugujevci, ndërsa plagosi Mazllum Bugujevcin. Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”.

Podujevë – Përleshja në lokal, tre të mitur kalojnë nga viktima në të dyshuar

Një përleshje në kafebarin “Jara”, në rrugën “Xhemajl Mustafa”, ka marrë tjetër rrjedhë pas hetimeve policore. Benjamin Vllasa dyshohet se kishte shkuar në lokal pasi kishte mësuar se vëllai i tij ishte rrahur dhe më pas kishte sulmuar fizikisht disa të mitur.

Gjatë kontrollit, atij iu gjet një thikë, e cila u sekuestrua. Vllasa u ndalua për 48 orë, por pas konsultimit të mëtejshëm me Prokurorin, tre të miturit E.P., E.I. dhe F.N., të cilët fillimisht trajtoheshin si viktima, u përfshinë në rast si të dyshuar.

Ata dyshohet se e sulmuan edhe Vllasën, i cili mori trajtim mjekësor. Sipas të dhënave të rastit, të miturit e kanë pranuar verbalisht sulmin. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të përleshjes.

Ferizaj – Kthehet nga puna dhe e gjen shtëpinë të demoluar

Një grua në rrugën “Mehmet Begraca” në Ferizaj e gjeti shtëpinë e demoluar pasi u kthye nga puna më 9 tetor, rreth orës 16:00. Dëmet përfshinin orenditë dhe inventarin e shtëpisë.

Si i dyshuar është identifikuar vëllai i saj, B.I. Familjarët kanë deklaruar se sjelljet e tij agresive u kanë shkaktuar frikë dhe shqetësim, ndërsa kanë thënë se ai kishte ndërprerë terapinë mjekësore të rekomanduar më herët.

I dyshuari nuk është intervistuar për shkak të gjendjes së tij, e cila, sipas informatave të rastit, është konstatuar edhe nga mjekët. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë. Rasti po trajtohet për “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë” dhe “Dhunë në familje”.

Pejë – Hetimet për dhunë në familje ngrenë dyshime për dhunim të një të miture

Gjatë hetimit të një rasti të dhunës në familje në Pejë, Policia ka siguruar informacione që kanë ngritur dyshime për veprën penale “Dhunim” ndaj një të miture. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 2 tetor, në rrugën “Mbretëresha Teutë”.

E mitura është intervistuar në prani të Prokurorit, punëtorit social, mbrojtësit të viktimave, psikologes, avokatit dhe përkthyeses. Pas kësaj, është arrestuar i dyshuari Rr. G., i cili është liruar më pas dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

Viktima është kthyer në strehimore, ndërsa hetimet po vazhdojnë. Për shkak të moshës së saj, nuk publikohen të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e të miturës.

Prishtinë – Ndalet për ta vuajtur dënimin prej 18 muajsh burgim

Bajrush Sallahuu është ndaluar më 9 tetor, rreth orës 16:00, në rrugën “27 Nëntori” në Prishtinë, në bazë të një urdhërese aktive të Gjykatës Themelore.

Ai ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për “Vjedhje grabitqare në tentativë”.

Pas përfundimit të procedurave policore, është dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa koha e kaluar më herët në paraburgim do t’i llogaritet në dënim.

Prishtinë – Ekstradohet nga Gjermania për ta vuajtur dënimin

Shpend Hyseni është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë në orët e para të 10 tetorit. Ai është dorëzuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, rreth orës 01:10, në bazë të një urdhërese aktive të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas përfundimit të procedurave, Hyseni është dërguar për ta vuajtur dënimin prej dy vitesh burgim.

Prizren – Zjarri shkrumbon shtallën, dëmi vlerësohet në 41 mijë e 900 euro

Një shtallë bagëtish në hyrje të fshatit Kobaj të Prizrenit u përfshi nga zjarri më 9 tetor, rreth orës 17:45. Shtalla u dogj tërësisht, ndërsa flakët përpinë edhe një dele, një qengj, ushqim për bagëti, pajisje makinerie dhe goma.

Pronari, Z.K., ka vlerësuar dëmin në rreth 41 mijë e 900 euro.

Dyshimet fillestare janë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga rryma elektrike. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe është iniciuar procedura si “Incident zjarri”.

Prishtinë – Ndalet për 48 orë pas denoncimit nga bashkëshortja

Një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje pas një mosmarrëveshjeje për para, në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, më 9 tetor, rreth orës 08:30.

Sipas deklarimit të saj, burri i kishte kërkuar 150 euro dhe, pasi ajo i kishte thënë se nuk i kishte, dyshohet se e kishte shtyrë dhe goditur lehtë në fytyrë. Gruaja nuk kishte lëndime të dukshme dhe kishte refuzuar trajtimin mjekësor.

I dyshuari e ka mohuar sulmin fizik, por ka pranuar se kohëve të fundit kishin pasur mosmarrëveshje. Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post SINJALI 24 | Kosova e trazuar brenda pak orësh: Vrasje e dyfishtë në Gjilan, arsenal armësh, përleshje, dhunë në familje e zjarr me 41 mijë euro dëme appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Nëntë të vdekur nga të shtënat në Pensilvani, mes viktimave dy fëmijë dhe një grua shtatzënë

Nëntë të vdekur nga të shtënat në Pensilvani, mes viktimave dy fëmijë dhe një grua shtatzënë

Shiten 10 mijë bileta për ndeshjen Shqipëri–Finlandë

Shiten 10 mijë bileta për ndeshjen Shqipëri–Finlandë

Klubi “Dëshira” kërkon zgjerimin e shërbimeve për personat që kanë nevojë për mbështetje profesionale

Klubi “Dëshira” kërkon zgjerimin e shërbimeve për personat që kanë nevojë për mbështetje profesionale