Një grabitje e armatosur në një kompani në Shtime, arratisja e një 19-vjeçari nga Qendra Edukative-Korrektuese në Lipjan, sulme ndaj grave dhe kërcënime brenda familjeve, arrestime e sekuestrime armësh. Këto janë disa nga ngjarjet që kanë shënuar orët e fundit në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Nga katër persona të maskuar që sulmuan një rojë sigurimi dhe morën pajisjet e kamerave, te një i ri që u largua gjatë natës nga institucioni korrektues, Policia është angazhuar në disa raste që kanë përfunduar me arrestime, ndalime dhe hetime.
Gazeta Sinjali ju sjell përmbledhjen e zhvillimeve kryesore të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Grabitje e armatosur në “Doni Frut”, katër persona sulmojnë rojën dhe marrin pajisjet e kamerave
Një grabitje e armatosur ka ndodhur rreth orës 01:00 të së dielës në kompaninë “Doni Frut”, në Zonën Industriale të Shtimes.
Katër persona të maskuar, njëri me revole, një tjetër me çekan dhe dy të tjerë me sëpata, dyshohet se kanë thyer derën e objektit dhe kanë sulmuar me grushte punëtorin e sigurimit.
Më pas, rojën e kanë dërguar në katin e dytë, ku njëri prej tyre e ka mbajtur nën kontroll me armë, ndërsa të tjerët kanë kontrolluar zyrat.
Autorët janë larguar në këmbë, duke marrë hard disqet e sistemit të kamerave të sigurisë. Policia dhe forenzika kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes.
Arratisje gjatë natës nga Qendra Edukative-Korrektuese në Lipjan
Një 19-vjeçar është arratisur rreth orës 02:00 nga Qendra Edukative-Korrektuese në Lipjan, në sistemin e hapur.
Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për Amar Bajramin, largimi i të cilit është raportuar nga personeli korrektues.
Njësitë policore janë angazhuar në kërkimin e tij, por sipas informacioneve fillestare nuk kanë arritur ta lokalizojnë.
Për rastin është iniciuar procedurë penale për arratisjen e personit të privuar nga liria.
Tre fëmijë mbeten në rrugë, nëna kërkon strehim pas denoncimit ndaj ish-bashkëshortit
Një 27-vjeçare në Prishtinë ka denoncuar ish-bashkëshortin për sulm fizik dhe kërcënime të vazhdueshme.
Sipas deklarimit të saj, ai kishte lënë pa përkujdesje në rrugë tre fëmijët e tyre, të moshave 7, 5 dhe 2 vjeç.
Gruaja ka deklaruar se nuk ndihej e sigurt dhe ka kërkuar strehim. Në koordinim me Qendrën për Punë Sociale, ajo dhe fëmijët janë vendosur në strehimore, ndërsa i dyshuari po kërkohet nga Policia.
E goditi gruan me shuplakë, tre fëmijët përfundojnë me nënën në strehimore në Pejë
Një 34-vjeçar në Pejë dyshohet se ka fyer dhe goditur me shuplakë bashkëshorten, pasi ishte kthyer në shtëpi dhe kishte filluar t’u bërtiste fëmijëve.
Gruaja është shoqëruar në Polici me tre fëmijët, të moshave 7, 6 dhe 4 vjeç.
I dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, ndërsa nëna me fëmijët është vendosur në strehimore.
“Do të të mbys ty dhe vajzën”, arrestohet 33-vjeçari i dyshuar për kërcënimin e nënës
Një 67-vjeçare në Gjakovë kishte denoncuar djalin për dhunë fizike dhe psikike, si dhe kërcënime me vdekje ndaj saj dhe vajzës së saj.
I dyshuari fillimisht nuk ishte lokalizuar, por më 14 nëntor është arrestuar nga Policia.
Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ai ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Me vendim të Prokurorisë, është ndaluar për 48 orë.
Refuzoi ta vazhdonte lidhjen, partneri dyshohet se e goditi me grusht në fytyrë
Një 26-vjeçare në Gjakovë ka raportuar se është sulmuar nga partneri i saj 22-vjeçar, pasi i kishte thënë se nuk dëshironte ta vazhdonte lidhjen.
Ajo ka pësuar hematoma pranë syrit dhe veshit dhe ka marrë trajtim mjekësor.
I dyshuari është arrestuar, ndërsa testi i alkoolit ka rezultuar me 0.68 promilë. Ndaj tij është caktuar ndalimi për 48 orë.
Denoncimi anonim çon Policinë te arma në shtëpinë e 47-vjeçarit
Një informacion anonim për dhunë ndaj bashkëshortes dhe posedim armësh ka çuar Policinë në shtëpinë e një 47-vjeçari në Prishtinë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar një pistoletë Walther, një karikator me katër fishekë dhe një thikë me këllëf.
Burri ka mohuar sulmin fizik, ndërsa bashkëshortja ka deklaruar se ishte goditur me duar. I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Dy të mitur dyshohet se ndoqën dhe kërcënuan një burrë me motoçikletë
Një 46-vjeçar në Prishtinë ka denoncuar se ishte ndjekur dhe kanosur nga dy të mitur që lëviznin me motoçikletë.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Nekibe Kelmendi”, ndërsa dy 16-vjeçarët janë paraqitur në Polici dhe janë intervistuar në prani të prindërve dhe avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurorisë, të dy janë ndaluar për 24 orë.
U zhduk nga Ferizaj, gjendet pas disa ditësh falë informacionit në TikTok
Një 31-vjeçar nga Ferizaj, i cili ishte larguar nga shtëpia më 10 nëntor, është gjetur në orët e para të së dielës në Veternik të Prishtinës.
Familjarët kishin raportuar zhdukjen e tij, ndërsa informacioni për vendndodhjen ishte siguruar përmes TikTokut.
Policia e gjeti pranë një pike derivatesh dhe e ktheu në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
Erdhi nga Gjermania për dokumentet e pronës, gjendet pa shenja jete në Prizren
Një 59-vjeçar që jetonte dhe punonte në Gjermani është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren.
Ai kishte ardhur në Kosovë rreth një javë më parë për të rregulluar dokumentacionin lidhur me disa çështje pronësore.
Nipi, i shqetësuar pasi nuk po arrinte ta kontaktonte, kishte shkuar në shtëpi dhe e kishte gjetur të shtrirë në dysheme.
Vdekja është konfirmuar nga ekipi mjekësor, ndërsa trupi është dërguar për obduksion me kërkesë të familjarëve.
Motra gjen marihuanë në çantën e vëllait, ai ishte ndaluar për dhunë në familje
Një grua në Prizren ka raportuar se gjatë pastrimit të lokalit kishte gjetur dy qese me marihuanë të dyshuar në çantën e vëllait.
Policia ka sekuestruar 8.45 gramë substancë të dyshuar narkotike.
I dyshuari ndodhej tashmë në ndalim për një rast të dhunës në familje, për të cilin Gjykata Themelore në Prizren kishte caktuar paraburgimin.
Denoncohet për dhunë psikike ndaj gruas, 44-vjeçari ndalohet në Malishevë
Një grua nga fshati Kërvasari ka raportuar se bashkëshorti e kishte fyer dhe kërcënuar.
Ajo ka marrë kontroll mjekësor dhe është përfshirë në mbështetjen e institucioneve përkatëse.
I dyshuari fillimisht nuk ishte lokalizuar, por më vonë është siguruar prania e tij në procedurë dhe është ndaluar për 48 orë.
Demoloi gjësendet në shtëpi, babai denoncon djalin në Prishtinë
Një 52-vjeçar ka raportuar dhunë psikike nga djali i tij 25-vjeçar, pasi ky i fundit dyshohet se kishte demoluar gjësendet brenda shtëpisë.
Babai ka deklaruar se nuk kishte pasur dhunë fizike.
Të dy janë intervistuar në Polici, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për dhunë në familje. Ai është liruar në procedurë të rregullt.
Nuk komunikonte me gruan prej tre muajsh, bashkëshorti denoncohet për dhunë psikike
Një grua në Gjakovë ka raportuar dhunë psikike nga bashkëshorti, duke deklaruar se ai nuk kishte komunikuar me të prej rreth tre muajsh.
Gruaja ka marrë trajtim mjekësor dhe ka kërkuar strehim, ndërsa djali i saj është intervistuar si dëshmitar.
Bashkëshorti është arrestuar dhe intervistuar, por më pas është liruar në procedurë të rregullt. Rasti mbetet nën hetime.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim – Personat e dyshuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





