Një ekip i emisionit Kiks Kosova në Klan Kosova është sulmuar sot në qytetin e Ferizajt, në kohën që ishin në terren për kryerjen e punës së tyre.
Kameramanët Erand Hyseni dhe Gramos Shala, si dhe gazetarja Arbenita Ilazi dhe shoferi Sefer Xhema janë sulmuar fizikisht nga disa persona të paidentifikuar, brenda veturës së televizionit, transmeton Klankosova.tv.
Autorja e emisionin, Ardiana Thaçi, në emisionin “Kosova Today” ka bërë të ditur se Hyseni, Shala dhe Xhema kanë pranuar tretman mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.
“Aktualisht ndodhem pranë Emergjencës së Ferizajt, aty ka kanë marrë trajtimin tre prej anëtarëve të ekipit të Kiks Kosovës, Erand Hysni, Gramos Shala, i cili duhet të përmendet se ka pasur vetëm ditën e dytë të punës, dhe Sefer Xhema. Ndërkohë që Arbenita Ilazi, gazetare, ndodhet në stacionin e policisë”.
Pos tjerash, Thaçi bëri të ditur se si ndodhi sulmi.
“Ata kanë qenë duke trajtuar një çështje pronash në Ferizaj, dhe pasi kanë kryer të gjitha xhirimet, kanë hipur në veturë, dhe kanë qenë duke kaluar rreth një lagjeje, e cila ka qenë rrugë me dalje, në atë moment iu kanë dalë dy vetura dhe i kanë ndalur, njëra para dhe njëra pas, dhe nga ajo veturë kanë dalë të paktën tre persona, të cilët kanë filluar të sulmojnë fillimisht shoferin përmes xhamave, dhe më pas kanë hapur dyert duke sulmuar goxha rëndë kameramanin Erand Hysenin, i cili ka lëndime në nofull dhe qafë, e po ashtu kanë sulmuar edhe kameramanin tjetër, Gramos Shalën”, tha Thaçi në Klan Kosova.




