Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim delegacionin e Forumit Ndërkombëtar të Strategjisë (ISF) 2026, i cili përbëhet nga liderë të rinj dhe përfaqësues nga rreth 40 vende të botës.

Delegacioni është udhëhequr nga Yll Bajraktari, ndërsa në takim është diskutuar për potencialin e të rinjve të Kosovës, zhvillimin teknologjik dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula ka theksuar se rinia përbën pasurinë më të madhe të Kosovës, duke rikujtuar se vendi ka një nga popullsitë më të reja në Evropë.
Ajo ka veçuar se të rinjtë kosovarë janë të angazhuar në fushën e teknologjisë dhe informacionit, njohin disa gjuhë të huaja, veçanërisht anglishten, dhe kanë shkathtësi për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë takimit, presidentja ka ritheksuar synimin e Kosovës që të jetë pjesë aktive e transformimeve teknologjike globale, jo vetëm si përdoruese e teknologjisë, por edhe si kontribuuese në zhvillimin e saj.
Në këtë kontekst, ajo ka vënë në pah rëndësinë e investimit në dije, inovacion dhe partneritete ndërkombëtare, si faktorë për forcimin e ekonomisë dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt.
Forumi Ndërkombëtar i Strategjisë 2026 mbledh liderë të rinj dhe përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar mundësi për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim në çështje me rëndësi ndërkombëtare.





