Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka uruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e 27 Nëntorit – Ditës së Forcës, duke vlerësuar kontributin e tyre në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Në mesazhin e saj, presidentja theksoi se Ushtria e Kosovës përfaqëson aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt, duke nënvizuar se themeli i saj qëndron në sakrificën e popullit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo bëri të ditur se si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme, mbetet e përkushtuar në forcimin e FSK-së, avancimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj.
Shiroka-Pula theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë strategjikë, me synimin e ndërtimit të një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s.
Në mesazhin e saj, presidentja përkujtoi edhe Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, duke vlerësuar sakrificën e tyre si burim frymëzimi dhe përgjegjësie për brezat e sotëm.
Në fund të mesazhit, ajo përcolli urimet për të gjithë pjesëtarët e FSK-së me rastin e Ditës së Forcës, duke theksuar se mbrojtja e lirisë dhe shërbimi ndaj atdheut mbeten detyrë e përbashkët.
Mesazhi i plotë:
Në Ditën e Forcës, nderojmë me krenari dhe mirënjohje të gjithë burrat dhe gratë në uniformën e FSK-së, të cilët i shërbejnë mbrojtjes së lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë.
Ushtria jonë mishëron aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt. E ndërtuar mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo dëshmon vendosmërinë tonë për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e fituar me sakrificë.
Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme, mbetem e palëkundur në përkushtimin tim për forcimin e ushtrisë sonë, avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj.
Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Në këtë ditë, përulemi me nderim të thellë para Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Sakrifica e tyre mbetet burim i përhershëm frymëzimi dhe përgjegjësie për secilin prej nesh.
Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët.
Urime 27 Nëntori – Dita e Forcës!
Burimi: Insajderi





