Kompanitë evropiane të industrisë së mbrojtjes po shtojnë masat e sigurisë për drejtuesit e tyre të lartë, pasi shërbimet e inteligjencës paralajmërojnë se Rusia po intensifikon përpjekjet për të shënjestruar drejtuesit e kompanive që mbështesin Ukrainën. Kërcënimi nuk kufizohet vetëm te prodhuesit e mëdhenj të armëve, por përfshin edhe kompani më të vogla që prodhojnë dronë dhe komponentë, duke rritur kostot e sigurisë në të gjithë sektorin.
Sipas Financial Times, zyrtarë nga pesë agjenci evropiane të inteligjencës thonë se operativët e Kremlinit po synojnë gjithnjë e më shumë drejtorët ekzekutivë dhe drejtues të tjerë të kompanive të mbrojtjes, në kuadër të zgjerimit të operacioneve të sabotimit dhe veprimeve të tjera hibride të Rusisë në Evropë.

Zyrtarët evropianë të sigurisë paralajmërojnë se kërcënimi tashmë përfshin si pronat, ashtu edhe personat. Shërbimi gjerman i inteligjencës së brendshme, BfV, ka shtuar kontaktet me punonjësit dhe drejtuesit e kompanive gjermane të mbrojtjes, duke rekomanduar masa që përfshijnë edhe angazhimin e ekipeve private për mbrojtje të afër.
Drejtori i BfV-së, Sinan Selen, u ka thënë ligjvënësve gjermanë se Rusia po planifikon qëllimisht akte dhune kundër individëve përmes aktorëve shtetërorë ose të kontrolluar nga shteti. Sipas tij, metodat, objektivat dhe personat e përfshirë në këto operacione po ndryshojnë, ndërsa po përdoren gjithnjë e më shumë edhe struktura të krimit të organizuar.
Sipas zyrtarëve, përgjegjësia për shumë prej këtyre planeve, të njohura në zhargonin e inteligjencës ruse si “wet work”, i takon kryesisht GRU-së, agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë. Burime të inteligjencës thonë se oficerët e GRU-së po bashkëpunojnë më ngushtë me grupe të krimit të organizuar dhe rrjete agjentësh që veprojnë përtej kufijve.
Sipas tyre, operacionet po organizohen përmes ndarjes së detyrave të vëzhgimit, logjistikës, planifikimit dhe zbatimit mes qelizave të ndryshme, në vend që të mbështeten te agjentë të vetëm, të cilët mund të sakrifikohen lehtësisht.
Zyrtarët e sigurisë bëjnë të ditur se disa plane janë zbuluar dhe parandaluar, ndërsa në raste të tjera është vërejtur mbikëqyrje e dyshimtë pranë banesave dhe vendeve të punës së personave të shënjestruar. Ata theksojnë se ndikimi psikologjik është pjesë thelbësore e kësaj fushate, pasi krijimi i ndjenjës së cenueshmërisë te drejtuesit mund të mjaftojë për t’i bindur kompanitë dhe individët të shmangin bashkëpunimin me Ukrainën.
Presioni po shtrihet edhe përtej prodhuesve të armëve, duke përfshirë kompanitë që operojnë në infrastrukturën kritike dhe sektorin e energjisë. Ekspertët e sigurisë thonë se po marrin gjithnjë e më shumë kërkesa për këshilla lidhur me mbrojtjen e punonjësve evropianë. Claudine Fry, partnere në kompaninë e menaxhimit të rrezikut Control Risks me seli në Londër, thotë se rreziku i atentateve tashmë po merret shumë më seriozisht nga kompanitë.
Drejtues të industrisë paralajmërojnë se shpenzimet për mbrojtjen e personelit dhe objekteve mund të bëhen një barrë e konsiderueshme, veçanërisht për kompanitë e reja. Një drejtues bëri të ditur se një objekt prodhimi në Evropën Perëndimore është zhvendosur së fundmi për shkak të kërcënimeve ruse.
Grupet e mëdha evropiane të armatimit janë në gjendje të shtuar gatishmërie që nga fillimi i vitit 2024, kur inteligjenca amerikane dhe ajo gjermane zbuluan një plan rus për të shënjestruar Armin Pappergerin, drejtorin ekzekutiv të prodhuesit të armëve Rheinmetall.
Papperger, një mbështetës i hapur i furnizimit të Ukrainës me armë, thotë se tashmë mbrohet gjatë gjithë kohës nga roje private të sigurisë dhe policia.
Burimi: Dukagjini




