Shefkije Islamaj: Gjuha shqipe ndërmjet traditës, standardit dhe sfidave të kohës

Shefkije Islamaj: Gjuha shqipe ndërmjet traditës, standardit dhe sfidave të kohës

Shefkije Islamaj: Gjuha shqipe ndërmjet traditës, standardit dhe sfidave të kohës

Studiuesja e gjuhës shqipe dhe albanologia flet për standardin, gegërishten, Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, ndikimin e anglishtes, përgjegjësinë e medias dhe sfidën e inteligjencës artificiale; për Fishtën, Xoxën e Qosjen, por edhe për “Yjësia ime” – librin e shkruar me “gjuhën e zemrës”

Sponsor 3M Express

Pesë dekada kushtuar studimit të shqipes e vendosin prof. dr. Shefkije Islamajn ndër emrat me përvojë të gjatë në gjuhësinë shqiptare. E lidhur për më shumë se pesë dekada me Institutin Albanologjik të Prishtinës, autore e studimeve të shumta për gjuhën, stilin dhe kulturën gjuhësore, si dhe pjesë e punës madhore për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, ajo e njeh shqipen jo vetëm nga teoria, por nga një jetë e tërë kërkimi dhe pune me fjalën.

Në këtë intervistë për Telegrafin, Islamaj flet për gjuhën standarde dhe “qëndrueshmërinë elastike” të saj, raportin me dialektet, ndikimin e anglishtes, përgjegjësinë e shkollës dhe medias, si dhe sfidat që inteligjenca artificiale po i sjell shqipes. Nga Fjalori i Madh dhe studimet për Gjergj Fishtën, Jakov Xoxën e Rexhep Qosjen, biseda kalon te një dimension krejt tjetër i fjalës: “Yjësia ime”, nipat e mbesat, “gjuha e zemrës” dhe fjala që në “fjalorin” e saj zë kryevendin – nënë.

“Gjuha e zemrës”: nga studimi te përjetimi i gjyshërisë

Prof. Islamaj, për pesë dekada e keni studiuar gjuhën deri në hollësitë e saj më të imëta, ndërsa për librin tuaj më të ri, “Yjësia ime”, thoni se është shkruar me “gjuhën e zemrës”. Pse?

Para se të përgjigjem në pyetjen tuaj, ndiej nevojë të them diçka që e dimë se kuptimi i jetës i të gjithë neve është dashuria. Ajo na shtyn të mësojmë, të zhvillohemi, të punojmë, të krijojmë, të bëhemi familje e të lindim fëmijë, të ndihmojmë të tjerët dhe veten e kështu me radhë. Dashuria është koncept shumë i gjerë. Ajo nuk është mendim, ide, ndjenjë, gjendje a sjellje, por e kundërta, mendimi, ideja, ndjenja, gjendja a sjellja janë shprehje të dashurisë. Gjatë jetës sime e kam kuptuar se mund të jesh i lumtur nëse ke bërë zgjedhjen e duhur jetësore dhe nëse e ke zgjedhur profesionin e duhur që lehtas kthehet në pasion, sepse kur punojmë me dëshirë, me dashuri, puna bëhet burim përmbushjeje, kuptimi, force e motivimi. Prandaj librat e mi, studimet e mia nuk janë shkruar e hartuar vetëm me gjuhën e mendjes, të dijes, por edhe me gjuhën e zemrën. Ndërkaq. dy librat e mi të fundit “Yjësia ime” dhe “Dreni” vërtet kanë buruar, kanë nisur dhe janë nxitur nga dashuria, nga zemra, prandaj mund të thuhet se janë shkruar me gjuhën e zemrës, me dashurinë e pamatshme të një gjysheje që i gëzohet shumë nipave e mbesave, rritës e jetës së tyre.

A ju ka ndryshuar gjyshëria mënyrën si e ndieni dhe si e përdorni gjuhën?

Mund të them po, gjyshëria ose të qenët gjyshe, ma ka ndryshuar shumë jetën dhe botëkuptimin për jetën. Nuk ma ka ndryshuar vetëm jetën time, por më kanë ndryshuar edhe mua, m’i ka ndryshuar edhe ndjesitë e ndjenjat e mia: jam bërë më durueshme, më e matur, më e mençur, më e mirë, më e vëmendshme, më e dashur, më zemërbutë e më fjalëmbël, sepse më janë mbushur sytë e zemra plot jetë. Vitet e gjyshërimit tim, më shumë se njëzetvjeçar, nga nipi i parë e deri te nipi i fundit, janë vite plotë jetë dinamike, janë vite të përvojave të panjohura, të mbushura me gëzime, emocione, mrekulli të qeta e të dëshirueshme, frikë, lodhje, dhembje, shqetësime. Pa dyshim se gjyshërimi im ka ndryshuar edhe gjuhën time. Dhe kjo mund të shihet edhe në këta dy libra të mi kushtuar atyre. Sa e sa herë jam ndier e pafuqishme të gjeja fjalët më të kuptimshme, më të ngrohta, më të bukura e më bukurtingëlluese të gjuhës shqipe gjatë vargëzimit, për të shprehur ato që ndieja, prandaj kam përdorur shumë shpesh kompozita të njohura por edhe vetë kam krijuar shumë nga ato, që pajtohen e s’pajtohen ndoshta me rregullat e fjalëformimit të shqipes, sepse jam nisur nga mendimi i dramaturgut dhe i urtakut antik Aristofanit i cili thotë: “mendimet e larta duhet të kenë gjuhë të lartë” (Aristofani). Unë po shtoj: edhe ndjenjat e larta. E ku ka mendime më të larta sesa mendimet që shprehin fuqinë e dashurisë, ku ka ndjenja më të thella se ato që shprehin dashuri. Këto vite, vitet e gjyshërimit, e rrethuar me nipat e mbesat e mia, janë vite shumë të çmueshme historie të jetës sime, janë vite dashurie e vite ngarendje pas kërkimit të një gjuhe të bukur e domethënëse, një gjuhe dashurie.

Çfarë ju mësoi dashuria ndaj nipave e mbesave që nuk mund t’jua mësonte asnjë teori gjuhësore?

Çfarë më mësoi dashuria ndaj nipave e mbesave? Gjyshëria, si e quani ju, më mësoi shumçka, më mësoi se jeta është dhurata më e madhe që i dhurohet njeriut dhe i dhurohet vetëm njëherë. Nëse jeta është kryedhuratë për njeriun, atëherë nipat e mbesat për mua janë kryeëmbëlsia më e madhe e kësaj kryedhurate, janë dhurata më e çmueshme e jetës sime, janë burimi i qetësisë, i lumturisë dhe i frymëzimit tim. Më mësoi se edhe gjuha, si tipar i identitetit tonë personal, formësohet nën ndikimin e përvojave tona të ndryshme gjatë gjithë jetës, nga lindjajeta e deri në fundjetë, sepse si thotë filozofi dhe eseisti rumun Emil Mishel Sioran: “Ne nuk jetojmë në tokë, jetojmë në gjuhë”.

Gjyshen e quani “kërthiza” që lidh të shkuarën me të tashmen. A mendoni se gjyshet dhe gjyshërit janë edhe një nga hallkat më të rëndësishme përmes së cilës brezave të rinj u përcillen gjuha, kujtesa familjare dhe mënyra tradicionale shqiptare e rrëfimit?

Po, mendoj se gjyshet janë shumë të rëndësishme për rritën dhe formësimin e nipërve dhe mbesave, sepse përmes përqafimeve, bisedave, rrëfimeve, këshillave, urtive dhe kujtimeve ato bartin traditën familjare, gjuhën, pasurinë e trashëguar mendore, mençuritë, përvojat dhe kujtesën e brezave duke u bërë kështu urëlidhëse ose “kërthizë” e tri kohëve. E vërtetë, gjyshja i ngjan një “kërthizë” që bart jo vetëm ADN-ën familjare, por edhe ADN-ën e përkatësisë gjuhësore dhe përkatësisë kolektive. Ajo bart dhe ruan arkëkujtesën e paraardhësve të familjes dhe jo vetëm.

Shumë nga shkrimet e librit “Yjësia ime” kanë lindur spontanisht në Facebook gjatë viteve 2016–2025 dhe vetëm më vonë janë bërë libër. Çfarë ndodh kur një çast i shkruar për të mos u harruar shndërrohet, vite më pas, në letërsi dhe kujtesë familjare? A mund të jenë rrjetet sociale edhe një arkiv i ri i jetës sonë?

Keni shtruar një pyetja interesante. Në librin “Yjësia ime”, të gjitha tekstet e botuara si poezi ose si ese, kushtuar ditëlindjeve të 12 nipave e mbesave të mia në qarkun kohor dhjetëvjeçar (2016-2025), si poezi e si ese çasti, që lidhen me ngjarje nga jeta e tyre ose si biseda reale me gjyshen ose mes vetë fëmijëve, janë frymëzuar, janë shkruar dhe janë postuar në të njëjtën ditë në Fejsbuk (Facebook). Ato nuk janë shkruar me qëllimin që një ditë të botohen, thjesht kanë qenë shprehje ose shfaqje gëzimi për një ditë të shënuara a një ngjarje të rëndësishme gjatë rritës së tyre, por me kohë, vite pas, gjatë bisedave me familjarë dhe miq ka dalë ideja dhe nisma që ato shkrime ia vlen të botohen në një libër si ky, një libër unik, çfarë nuk e kam hasur deri sot në gjuhë shqipe e as në gjuhë të tjera përreth. Ajo që thoni ju është një e vërtetë që më pëlqen. Pa dashur, ky libër, dhuratë dhe kujtim për nipat e mbesat e mia, u shndërrua në kujtesë familjare, pse jo edhe në letërsi. Koha dhe ndryshimet marramendëse sot në fushën e mjeteve teknologjike, informative dhe komunikuese do ta vërtetojnë e ligjësojnë mendimin tuaj se rrjetet sociale vërtet mund të shndërrohen në arkiv të jetës sonë.


Pesë dekada me Institutin Albanologjik

Për dekada jeni e lidhur me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe me revistën “Gjurmime Albanologjike”. Vazhdoni të jeni e pranishme ende me punën tuaj në institut?

Në dhjetor 1977, e sapo diplomuar, kam filluar punën në Institutin Albanologjik, në Degën e Gjuhësisë dhe nga aty kam dalë në pension me 41vite pune të pandërprerë, për të vazhduar edhe më tej punën dhe bashkëpunimin me Institutin Albanologjik deri sot, përmes hartimit dhe botimit të një monografie të vëllimshme shkencore me 827 faqe të formatit të madh, që u botua më 2021 me titullin “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”; përmes punës në projektin pesëvjeçar Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, projekt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, tashmë i përfunduar me rreth 120 mijë zëra leksikografikë dhe shprehje frazeologjike si anëtare e Redaksisë, si hartuese dhe si përgjegjëse e grupit të hartuesve të rinj të Institutit; përmes pjesëmarrjes me kumtesa në Konferencat dhe tryezat shkencore që janë mbajtur e mbahen në Institut e më gjerë, por edhe me praninë time shumëvjeçare si redaktore dhe si kryeredaktore në revistën shkencore “Gjurmime albanologjike” deri tash së voni (2023), ku vazhdoj të botoj punime shkencore, sikundër edhe në revistën “Gjuha shqipe” të Institutit me moshë 44 vjeçare. Në historinë e periodikut shkencor shqiptar, revista shkencore “Gjurmime albanologjike”, organ i Institutit Albanologjik të Prishtinës, zë vend të veçantë jo vetëm pse ka moshë rreth 65 vjeçare të daljes së saj në dritë (1962), jo vetëm për konceptin dhe rëndësinë e saj që ka për filologjinë shqiptare, po sidomos për ndikimin e saj në zhvillimin e mendimit shkencor e kritik brenda dijes albanologjike në përgjithësi e asaj në Kosovë në veçanti.. Vitet e mia të kaluara në Institut deri në moshë 70 vjeçare janë vite pune, sakrifice, vështirësish, por dhe arritjesh. Dy shkrimet e para shkencore i kam botuar pikërisht në revistën “Gjurmime albanologjike” në vitin 1978, rreth 50 vjet më parë. Ndërkaq, së fundi kam përgatitur një përmbledhje të vëllimshme shkrimesh që janë shkruar në rrethin kohor prej tetë vjetësh e deri sot, që do të dalë si botim i Institutit Albanologjik.

Si e shihni sot misionin e Institutit Albanologjik, kur sfidat për shqipen nuk vijnë më vetëm nga rrethanat historike, por edhe nga globalizimi, teknologjia dhe ndryshimi i mënyrës së komunikimit?

Në këtë kohë e në këto kushte, në sajë të arritjeve të shënuara shkencore ndër vite, që nga rithemelimi i Institutit Albanologjik më 1967, në Kosovë po afirmohej më qartë se kurrë identiteti kombëtar i shqiptarëve, i nxitur dhe i frymëzuar edhe nga studiuesit asokohe të paktë të Institutit Albanologjik, nga brezi i studiuesve pararendës të albanologjisë në Kosovë, të cilët me veprat e veprimtarinë e tyre ndërtuan vetëdijen dhe ndërgjegjen për ndryshimet e mëdha e shumë të rëndësishme për pasuesit që erdhën pas, sot brezi i ri mban peshën e zhvillimit të studimeve gjuhësore në rrethana e kushte të përparuara. Mund të thuhet se Instituti Albanologjik, pos punës dhe veprimtarisë së gjerë e të suksesshme shkencore, ishte prijatar edhe në shumë veprimtari politike, shoqërore e kulturore, me rëndësi të dorës së parë për Kosovën e për shqiptarët, në të vërtetë pikërisht në Institut kanë filluar nismat kryesore për debate e për veprime me interes thelbësor politik, shoqëror, shkencor e kulturor për shqiptarët dhe për shtetin e ardhshëm të Kosovës.

Por, Instituti si edhe Kosova, ka pasur edhe ditë të vështira të funksionimit të tij normal, për arsye objektive të ditura, ka pasur edhe dobësi, lëshime, ngecje. E kuptueshme për kohën e për rrethanat nëpër të cilat kemi kaluara. Megjithatë, vështirësitë, dobësitë, lëshimet e ngecjet në raport me punën dhe veprimtarinë e tij të pasur e të rëndësishme ndër vite mbeten të papërfillshme. Sot, nxitjet për punë të reja, për prurje e të reja, hapja e mundësive më të mira për vazhdimin e punës, përballja me rezultatet e shkencës bashkëkohore evropiane, përsosja në planin profesional, pasurimi i përvojave e kompletimi me kuadro të reja, zgjerimi i komunikimit dhe i bashkëpunimit kombëtar e tejkombëtar – janë shënuese të së tashmes dhe të së ardhmes së Institutit Albanologjik. Brezi i ri i studiuesve ka zgjeruar rrethin e interesimeve, ndonëse ky interesim vazhdon të jetë ende i ngushtuar dhe i sfiduar me të rejat që ka sjellë epoka e digjitalizimit në shumë fusha shkencore albanologjike përballë shkencën gjuhësore moderne evropiane.

Standardi, dialekti dhe brezi i ri

Në shkrimet tuaja theksoni se askush nuk lind me gjuhën standarde, por se ajo mësohet. Brezi i ri sot jeton mes dialektit në familje, standardit në shkollë dhe një shqipeje të përzier me anglishten në rrjetet sociale. Kur një i ri nuk e zotëron mirë standardin, sa është përgjegjësi e tij dhe sa e shkollës, e medias dhe e institucioneve?

Gjuha standarde është variant i përpunuar, i njësuar, i kodifikuar i një gjuhe, i pranuar që të përdoret si normë e përbashkët në komunikimin zyrtar, arsimor, shkencor, kulturor dhe publik, pra ajo nuk është gjuhë që bartim me lindjen tonë ose nga familja. Dialekti është një formë e natyrshme e gjuhës që mësohet në familje dhe në mjedisin shoqëror. Gjuha standarde është një formë e përzgjedhur dhe e normëzuar, e cila mësohet kryesisht përmes shkollës, leximit dhe përdorimit publik. Si e tillë ajo duhet të mësohet, duhet t’ia njohim drejtshkrimin, gramatikën, shqiptimin, fjalorin, shkurt përdorimin e saj të drejtë, përmes shkollimit që nga klasa e parë, madje edhe nga kopshti, e gjatë gjithë shkollimit dhe gjatë gjithë jetës, sepse gjuha është proces i gjallë, dinamik dhe i nënshtrohet ndryshimeve nga faktorë të ndryshëm rrethues. E vërtetë, brezi i ri sot jeton mes të folmes familjare ose të rrethit, të standardit në shkollë dhe nën trysninë e ndikimit të gjuhëve të huaja sidomos të anglishtes. Kur një shkollar, një i ri, nuk arrin të zotërojë në masë të duhur standardin, përgjegjësia sigurisht nuk mund t’i ngarkohet vetëm atij. Faji është i përbashkët: i shkollës (i mësimdhënësit, i teksteve mësimore etj.), i familjes, i medias dhe i institucioneve që u bie për detyrë të ndërmarrin masa të duhura për ta kultivuar shprehjen gjuhësore të tyre, për ta përmirësuar gjendjen dhe për ta bërë sa më funksionale gjuhën standarde. Shkolla duhet të përmbush misionin e saj, duke ua mësuar standardin jo vetëm si një tërësi rregullash drejtshkrimore e gramatikore, por si një mjet të gjallë komunikimi, shprehjeje dhe mendimi. Media, nga ana tjetër, duhet të jetë model i përdorimit të gjuhës së kujdesshme, ndërsa institucionet duhet të krijojnë më shumë hapësira për kulturën gjuhësore dhe leximin.

Sa i përket ndikimit të anglishtes dhe të komunikimit në rrjetet sociale, mendoj se jemi dëshmitarë të një mënyre të re të të shprehurit, sidomos te brezi i ri. Kjo mënyrë karakterizohet nga shkurtesat, huazimet, përzierjes e gjuhëve dhe nga një komunikim më i shpejtë, shpeshherë në dëm të saktësisë gjuhësore. Megjithatë, nuk duhet ta shohim çdo huazim si rrezik për shqipen. Gjuhët kanë qenë dhe mbeten në vazhdimësi në kontakt me njëra-tjetrën, prandaj huazimet janë pjesë e zhvillimit të tyre. Rreziku lind atëherë kur huazimi bëhet zëvendësim i panevojshëm i fjalës shqipe, kur folësi nuk e njeh më fjalën e vet ose kur humb aftësinë për ta dalluar gjuhën e komunikimit të përditshëm nga ajo e komunikimit të kultivuar.

A po lind një mënyrë e re e të folurit që mund të ndikojë edhe mbi vetë standardin?

Në të vërtetë, situata është më e përbërë sesa na duket në shikim të parë. Sot jetojmë në rrethana e kushte plotësisht të reja që kanë sjellë raporte e dukuri të reja gjuhësore, kulturore e shoqërore. Jetojmë në kohë lëvizjesh të mëdha të popullatës në hapësirën shqiptare. Këto lëvizje dhe zhvillime të shpejta shoqërore, ekonomike, dhe, sidomos, ato tekniko-teknologjike, në dy dhjetëvjetëshat e fundit, e kanë lëkundur ndjeshëm pamjen gjuhësore në arealin gjuhësor të shqiptarëve, duke krijuar situatën që në një territor jo të madh gjeografik e gjuhësor të bashkëjetojnë folës të të gjitha të folmeve tona, rrjedhimisht të bashkëjetojnë të folme të ndryshme të të dyja dialekteve tona, brenda Shqipërisë dhe Kosovës e më gjerë. Rezultat i lëvizjeve të tilla dhe rrjedhimisht edhe i “përzierjeve” çdo ditë e më të dukshme gjuhësore, janë ligjërimet të cilat nën ndikimin e ndërsjellë më të madh a më të vogël dhe, sidomos, në ndikimin e gjuhës standarde, po marrin pak a shumë fizionomi të reja. Ndikimi i ndërsjellë ligjërimor po ndodh sot në gjithë arealin gjuhësor shqip, pra në të gjitha të folmet e të dyja dialekteve, po sidomos në të folmet e dialektit gegë, në të folmet verilindore, të cilat për rrjedhojë janë çdo ditë jo vetëm, ta themi, më pak të pastra, por po marrin një pamje dukshëm të përzier. Sigurisht se nuk është e lehtë të përcaktohen qartë asnjëherë kufijtë hapësinorë gjuhësorë dhe as ata dialektorë. Përzierjet krijojnë variacione gjuhësore të rrafshit shqiptimor, të rrafshit gramatikor dhe të rrafshit leksikor dhe ato në të shumtën e herës kanë karakter sistemor si rezultat i ndikimit të ndërsjellë të faktorëve gjuhësorë e socialë, por jo rrallë këto variacione kanë edhe karakter rastësor. Me këtë çështje sot duhet të merren në rend të parë gjuhëtarët, përkatësisht sociolinguistët. Ndërndikimet gjuhë standarde – dialekt, sigurisht janë të pashmangshme në një situatë të këtillë, përkatësisht në kontekst gjuhësor-shoqëror

Besoj se kjo mënyrë e re e të folurit, ky ligjërim i ri, për të mos thënë “i përzier” do të mund të ndikojë në zhvillimin e shqipes në rrafsh të gjerë, por jo domosdoshmërisht do të mund të ndikojë në ndryshimin e standardit. Standardi nuk është një strukturë e ngrirë; ai mund të pasurohet dhe të zhvillohet, por çdo ndryshim duhet të mbështetet në kritere shkencore, në rregullsinë normative, në përdorimin real të gjuhës dhe në nevojat e komunikimit bashkëkohor.

Në fund, do të theksoja se të rinjtë nuk duhet t’i largojmë nga dialekti, sepse dialektet janë pasuri e gjuhës sonë, as nga teknologjia dhe komunikimi global. Çka duhet të bëjmë? Duhet t’i ndihmojmë të zotërojnë disa regjistra gjuhësorë për të ditur e kuptuar se si dhe kur e ku duhet t’i përdorin ata. Të dish standardin nuk do të thotë të heqësh dorë nga e folmja jote, por të fitosh një mundësi më shumë për t’u shprehur.

Për standardin përdorni formulimin “qëndrueshmëri elastike”. Ku duhet të mbarojë elasticiteti dhe ku fillon cenimi i normës?

Për çdo standard sikur edhe për standardin e gjuhës shqipe, qëndrueshmëri elastike do të thotë aftësi për të ruajtur identitetin e tij, pra të standardit dhe, njëkohësisht, për të ruajtur normën e tij gjuhësore: rregullat e normës fonetike, morfologjike, sintaksore, rregullat drejtshqiptimore dhe ato drejtshkrimore. Standardi nuk duhet të jetë i ngurtë, i pandryshueshëm dhe i mbyllur ndaj pasurimit, zgjerimit dhe pranimit të risive kur ato nuk lëndojnë normën, pra duhet “t’u hapë portën” fjalëve, shprehjeve dhe ndërtimeve të reja që e pasurojnë gjuhën, që i mundësojnë asaj t’u dalë ballë zhvillimeve dinamike shoqërore, ekonomike, teknike-teknologjike, kulturore etj. Shkurt të kryejë sa më mirë e sa më lehtë funksionin e saj komunikues. Ku duhet të mbarojë elasticiteti ose epshmëria e normës dhe ku fillon cenimi i saj, nuk është aspak lehtë përcaktohet. Mendoj se Institucionet tona të larta gjuhësore shkencore në të dyja shtetet shqiptare duhet të kenë komisione ose këshilla të përhershëm shkencorë që do të merreshin në vazhdimësi me çështje ose problematika aktuale të kësaj natyre.

Sikur sot të duhej rishikuar vetëm një çështje e shqipes standarde, cilën do ta vendosnit në tryezën e gjuhëtarëve?

Në tryezat e gjuhëtarëve duhet të shtrohen më shpesh për diskutim çështje gjuhësore që janë aktuale në gjuhësinë shqiptare. Asnjëherë në shqipen nuk kanë hyrë më shumë elemente të reja e të huaja, sidomos të anglishtes dhe të gjuhëve të tjera përmes anglishtes: fjalë e shprehje, ndërtime e gjedhe, të nevojshme e të panevojshme. Përdorimi i këtyre fjalët më të shumtat nga anglishtja, që sot përdoren në ligjërimin shqip paraqesin shpesh probleme sidoms në rrafshin drejtshkrimor e drejtshqiptimor. Mendoj se kjo temë duhet të shtrohet më shpesh në tryezat e gjuhëtarëve ashtu siç duhet të aktualizohe seriozisht edhe çështja e normimit, e standardizimt dhe e njësimit të prurjeve leksikore terminologjike me burim të huaj në gjithë hapësirën shqiptare.

Edhe prurjet nga dialektet sidomos të kohëve të fundit, shumë nga të cilat kanë hyrë tashmë në FMGJSH-së, që kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin pasurim leksikor tematik, semantik sasior e cilësor, pasurim frazeologjik lënde e mjetesh, duhet të bëhen objekt trajtimi në rrafshin drejtshkrimor, në mënyrë që të pranohen e të përshtaten më lehtë në ligjërimin standard.


Raporti i gegërishtes me standardin vazhdon të prodhojë debate që shpesh kalojnë nga gjuhësia në identitet, emocion e politikë. A ekzistojnë ende çështje thelbësore shkencore që duhen zgjidhur në këtë raport, apo një pjesë e debatit sot zhvillohet më shumë jashtë gjuhësisë sesa brenda saj?

Mendoj se raporti i gegërishtes me gjuhën standarde është një çështje që duhet trajtuar me qetësi, me argumente shkencore dhe pa kurrë farë paragjykimesh historike, politike, ideologjike, krahinore apo emocionale. Gjatë disa dhjetëvjetëshave të fundit ka pasur mjaft diskutime dhe debate lidhur me standardizimin e gjuhës shqipe dhe me faktorët ndikues në këtë proces. Jo rrallë këto diskutime kanë lënë anash argumentet gjuhësore-shkencore, më mirë të thuhet kanë dalë përtej kufijve të gjuhësisë dhe kanë rrëshqitur në çështje të tjera që lidhen me politikën, identitetin, historinë, kulturën dhe përkatësinë krahinore. Megjithatë, ndër vite në tryezat shkencore në Prishtinë, Tiranë e më gjerë ka mbizotëruar mendimi se nuk ekzistojnë çështje që lidhen me gjuhën standarde që nuk mund të diskutohen bashkërisht e me argumente, jo vetëm për mundësitë e pasurimit të gjuhës standarde nga prurjet dialektore sidomos nga dialekti gegë, por edhe për çështje si ajo e disa formave morfologjike e fonetike apo ajo e hapjes ose e elasticitetit të normës standarde përballë zhvillimit të gjuhës.

Mundësitë e pasurimit të standardit me elemente të vlefshme nga të dyja dialektet janë rrugë e hapur dhe këtë e dëshmon përfshirja e gjerë në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe e një numri të përfillshim të njësive leksikore e frazeologjike dialektore nga gegërishtja që shquhet me një traditë të pasur letrare, gjuhësore dhe kulturore, me një pasuri të madhe shprehëse, të dëshmuar jo vetëm në gjurmimet në arealin gjeografik shqiptar, po sidomos nga veprat e autorëve të shquar klasikë gegë dhe përkthimet e tyre, si dhe nga të folmet e veçuara siç janë ato çame dhe arbëreshe.

Diskutimet dhe debatet për këto çështje i konsideroj të rëndësishme dhe të dobishme vetëm atëherë kur mbështeten në studime, dëshmi gjuhësore dhe argumente shkencore dhe profesionale dhe jo kurrsesi kur ato shndërrohen në përballje të pakuptimshme dhe të dëmshme të gegërishtes me toskërishtes dhe të gegërishtes me standardin. Nuk duhet të krijojmë idenë se mbrojtja e njërës kërkon dobësimin e tjetrës. Të dyja dialektet kanë vlerat e saj si pjesë e trashëgimisë sonë gjuhësore siç është e tillë edhe gjuha standarde shqipe e cila tashmë ka historinë e saj, po e jeton të tashmen e saj dhe po ndërton të ardhmen e saj. Nuk duhet të harrojmë se standardi na bashkon, dialektet na pasurojnë, ndërsa kultura gjuhësore na ndihmon t’i përdorim drejt të dyja.


Fjalori i Madh: mes kujtesës së gjuhës dhe shqipes së sotme

Në “Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe” keni qenë anëtare e redaksisë dhe hartuese, ndërsa ju është besuar edhe hartimi i shkronjës A. Nga mijëra fjalët që kanë kaluar nëpër duart tuaja, a ju kujtohet ndonjë që ju ka vënë veçanërisht në provë?

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe paraqet pasurinë leksikore, semantike dhe frazeologjike të shqipes së sotme, larminë, forcën dhe bukurinë e fjalës shqipe pa kufizime truallsore, sociale, profesionale, autoriale, mendësore. Ballafaqimi me shumësinë e fjalëve, vjeljen, përzgjedhjen, trajtimin dhe hartimin e zërave gjithmonë paraqet sfidë për hartuesit e fjalorëve. Duke qenë se çdo fjalor serioz, siç është FMGJSH, ndërtohet mbi parime dhe kritere leksikografike të traditës dhe bashkëkohore, vendëse dhe ndërkombëtare, mund të thuhet hapur, pa ngurrim, hartuesit e këtij fjalori i kanë tejkaluar vështirësitë dhe sfidat që janë shfaqur gjatë punës. Dhe ato nuk kanë qenë pak. Pas hartimit të shkronjave i gjithë materiali është rishikuar disa herë nga redaktorët dhe kryeredaktori me qëllim që të shmangen mëdyshjet, gabimet, shkarjet lëndore, gramatikore ose teknike. Si redaktore dhe si hartuese e shkronjës A edhe unë kam pasur shumë herë mëdyshje ose vështirësi gjatë hartimit ose trajtimit të mija zërave leksikografikë, në rend të parë me fjalët dhe fjalëtermat me burim të huaj të cilat në korpusin e kësaj shkronje janë në numër mjaft të madh. Po kështu, edhe përfshirja e fjalëve dialektore gege dhe toske me shtrirje të ngushta territoriale të të folmeve siç janë çamërishtja, arbërishtja, por edhe të tilla me shtrirje në gjithë në hapësirën shqiptare e më gjerë, ka kërkuar shumë vëmendje dhe kohë për trajtimin e tyre nga ana kuptimore, e përbërësve semantikë dhe e treguesve gramatikorë. Hartimi i fjalorëve nuk është punë e lehtë, përkundrazi është punë e vështirë, e mundimshme, sepse kërkon njohje të gjera gjuhësore dhe dije të mjaftueshme të fushave të shumta të jetës shqiptare dhe në përgjithësi të jetës njerëzore, por, njëkohësisht është edhe punë që të krijon shumë kënaqësi sepse të japë mundësinë të jetosh e të hysh në një botë të pakufishme fjalësh, që ta pasurojnë mendjen, dijen dhe fjalorin me një det informacionesh.

Si është ruajtur ekuilibri ndërmjet fondit të trashëguar – i fjalëve të vjetra e krahinore – dhe i nevojës për të pasqyruar shqipen aktive të njeriut të sotëm?

E thashë më lart se Fjalori është ndërtuar mbi parime dhe kritere bashkëkohore leksikografike të përcaktuara qartë, nga të cilat pastaj Redaksia e Fjalorit ka nxjerrë udhëzime të shumta e të hollësishme për të gjitha fazat e punës, të cilat çdo hartues i ka pasur në tryezat e punës dhe natyrisht u janë përmbajtur atyre. Konsultimi i vazhdueshëm mes vete i hartuesve dhe me përgjegjësit e këtij projekti të madh e ka lehtësuar shumë punën tonë edhe për çështjen që ju shtroni në pyetjen tuaj. Në të vërtetë, kjo ka qenë njëra ndër nga sfidat themelore të hartimit të Fjalori të Madh të Gjuhës shqipe, sepse ai duhej të përmbushte njëkohësisht dy kërkesa shumë të rëndësishme: e para, të ruajë kujtesën historike të gjuhës dhe e dyta, të shprehë jetën e saj të sotme. Kështu njësitë leksikore të vjetruara, krahinore, dialektore, shprehjet popullore dhe kuptimet, që konsiderohen si leksik pasiv sepse kanë dalë nga përdorimi i përditshëm, janë vlerësuar kujdesshëm dhe shumë nga to janë përfshirë në fjalor për arsye se ato, edhe pse janë në përdorim të kufizuar, paraqesin vlerë për historinë e leksikut të shqipes dhe për pasurinë e larminë dialektore të gjuhës. Ndërkaq njësitë leksikore që konsiderohen si leksik aktiv sepse përdoren sot në të gjitha fushat e jetës, në jetën tonë publike, në administratën e shtetit, në arsim e shkencë, në teknikë e teknologji, në ekonomi e politikë, në mjetet e informimit dhe në komunikimin e përditshëm, janë shtuar në masë të madhe në Fjalorin e Madh për faktin se gjuha pasurohet vazhdimisht e ndikuar nga ndryshimet shoqërore dhe konceptuale të kohës. Fjalori ka përcaktuar statusin normativ të njësive leksikore sikundër që ka përcaktuar edhe treguesit e njësive leksikore që janë përfshirë në fjalor me shënimet: krahinore, dialektore, e vjetruar, historike, thjeshtligjërimore ose bisedore, librore e shkencor, e huazua, fjalëterm etj. Përzgjedhje e korpusit gjuhësor i përfshirë në fjalor është mbështetur në rend të parë në përdorimin e tyre aktual, pastaj në korpuse tekstesh të fushave të ndryshme të dijes, në tekste letrare, në letërsinë gojore, në shkrime e dokumente historike, në studimet dialektologjike e të tjera.

Një fjalor nuk e regjistron vetëm gjuhën, por në njëfarë mënyre përcakton edhe çfarë fiton të drejtën e qytetarisë në të. Çfarë ndodh kur një fjalë ose formë që gjuhëtari nuk do ta këshillonte, përdoret nga qindra mijëra njerëz? Kur një përdorim i konsideruar gabim fillon të bëhet fakt gjuhësor?

Një fjalor siç është FMGJSH pos që ka funksion dokumentues, shpjegues, pasurues, historik, dialektor, terminologjik, kulturor, identitar, arsimor, kërkimor, ka edhe një funksion shumë të rëndësishëm, funksionin normëzues, për të ndihmuar e ruajtur pastërtinë e gjuhës shqipe dhe njësimin gjuhësor sipas standardit, për të udhëzuar jo vetëm përdorimin drejt standard të çdo fjale, por edhe si përdoret realisht në gjuhën e përgjithshme, në dialekte, në letërsi dhe në fusha të tjera të komunikimit. Marrëdhënia ndërmjet normës gjuhësore dhe përdorimit real të gjuhës është çështje më vete. Kur një fjalë, një formë, një ndërtim ose një shprehje që konsiderohet si jo e drejtë, pra e gabuar, fillon të përdoret gjerësisht duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi shkencor nga ekspertët gjuhësorë. Përdorimi i gjerë i saj nuk e ligjëson menjëherë pranimin e saj në standard, as nuk mund të konsiderohet si fakt i kryer, madje mund të mos e pranohet asnjëherë nëse konsiderohet si ndikim i huaj e i panevojshëm, për të mos thënë i papranueshëm, që mund të jetë krijuar si kalk ose si rrjedhojë a si dukuri mode. Në të shumtën e rasteve këto fjalë ose ndërtime ashtu si janë krijuar ashtu edhe mund të zhduken vetvetiu më shpejt ose më vonë. Por, në rastet kur një fjalë a krijim ka krijuar qëndrueshmëri në kohë, përdorim të gjerë në ligjërimin publik dhe të shkruar, përshtatshmëri me sistemin gjuhësor, kur plotëson nevojë reale në komunikim ose që tashmë është bërë realitet gjuhësor, ajo meriton të bëhet pjesë e normës standarde, sepse gjuha nuk është vetëm ajo që përcaktohet në librat normëzues, në librat gramatikorë dhe në fjalorët, por është edhe gjuha që flasin dhe që shkruajnë realisht njerëzit. Për të dyja rastet kemi shembuj të shumtë në praktikën tonë gjuhësore por edhe në përfshirjen e tyre në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, i cili së shpejti, gjatë vitit 2027, do të dalë në format fizik në dhjetë vëllime.

Sinonimet, anglishtja dhe varfërimi i shprehjes

Në librin “Çështje të sinonimeve në gjuhën shqipe” trajtoni një nga pasuritë e shqipes. Pse sot, edhe te njerëzit e arsimuar, duket sikur fondi aktiv i sinonimeve po ngushtohet? A po humbasim fjalë apo po humbasim nevojën për nuanca?

Sinonimia si dukuri semantike shfaqet në të gjitha rrafshet gjuhësore (morfologji, sintaksë, frazeologji, etj.) e në të gjitha varietetet funksionale gjuhësore e stilore e po kështu është e pranishme pothuajse te të gjitha kategoritë e fjalëve të kuptimshme – emra, mbiemra, folje, ndajfolje, por edhe te disa nga fjalët jo të kuptimshme – lidhëza, parafjalë, pjesëza, onomatope. Së këndejmi sinonimet konsiderohen si pasuri e rëndësishme e çdo gjuhe, sepse i mundësojnë folësve dhe shkruesve të mendojnë, të përdallojnë dhe të shprehin më saktë ngjyresat semantike e stilistike të botës gjuhësore e fizike që na rrethon, pra nuk janë thjesht fjalë por njësi gjuhësore të domosdoshme në ligjërimin tonë. Pa sinonimet, pa mundësinë e përzgjedhjes në rrafshin gjuhësor, nuk do të mund të flisnim për stilin, sepse, siç e thotë stilistikani Xhevat Lloshi: variantet bashkekzistuese gjuhësore janë vlera potenciale gjuhësore, që mund të kthehen në vlera stilistike.

Keni të drejtë që shtroni çështjen e ndryshimeve që po pëson gjuha dhe mënyra jonë e komunikimit, në të vërtetë që po thjeshtëzohet dukshëm ligjërimi ynë bashkë me të edhe fjalët po humbasin ndjeshmërinë ndaj ngjyresave të tyre kuptimore dhe stilistike. Kjo po ndodh jo vetëm në thjeshtligjërimin por edhe në ligjërimin standard dhe në mjediset arsimore dhe intelektuale. Mosleximi ose leximi i kufizuar i letërsisë, i publicistikës dhe i shkrimeve të tjera, mosnjohja e pasurisë leksikore të shqipes, sidomos e sinonimisë shumë të pasur të saj, ka sjellë varfërimin e leksikut sidomos në ligjërimin e të rinjve. Këtu mund të radhisim edhe arsye të tjera si ndikimi i përdorimit të mjeteve digjitale ose përshtrirja e gjerë e komunikimi digjital në rrjetet sociale dhe ndikimi i gjuhëve të huaja, që kanë sjellë pastaj dobësimin e ndjeshmërisë gjuhësore dhe të dashurisë për shprehjen e saktë, të qartë dhe të bukur shqipe..

Kur flasim për ndikimin e gjuhëve të huaja, zakonisht numërojmë fjalët angleze që kanë hyrë në shqipe. Por a është më shqetësues një ndikim më pak i dukshëm: të përdorim fjalë shqipe, por t’i ndërtojmë fjalitë dhe mendimin sipas strukturës së anglishtes?

Në çdo gjuhë, huazimi konsiderohet proces i natyrshëm dhe i pandalshëm, sepse çdo gjuhë zhvillohet e pasurohet edhe me fjalë të gjuhëve të tjera. Ndikimi i gjuhëve të huaja në shqipen sot, sidomos i gjuhës angleze, është i gjerë e i thellë jo vetëm në rrafshin leksikor por edhe në strukturën shprehjesore, sintaksore dhe të logjikës së brendshme gjuhësore. Afër mendsh se ndikimi në strukturën sintaksore shqetëson më shumë sesa depërtimi i njësive leksikore, sepse konsiderohet si ndërhyrje në sintaksën e gjuhës dhe si ndikim strukturor në gjuhën shqipe e kjo do të thotë ndërhyrje e ndikim në frymën ose në shpirtin e saj. Ky ndikim dhe kjo ndërhyrje prish kuptimin, tingëllimën, rrjedhshmërinë dhe saktësinë e shprehjes së gjuhës shqipe dhe kjo vërehet dukshëm në ndërtimin e fjalisë, në përdorimin e ndajfoljeve, të parafjalëve, në mënyrën e të menduarit dhe të argumentuarit, sidomos në përkthimet letrare, shkencore, publicistike e të tjera, veçmas të përkthyesve të rinj. Gjuha shqipe vërtet gjendet para sfidave jo të vogla.

Inteligjenca artificiale – sfida e re për shqipen

Për herë të parë në historinë e shqipes kemi sisteme të inteligjencës artificiale që prodhojnë çdo ditë sasi të mëdha tekstesh në gjuhën tonë. A mund të vijë një kohë kur algoritmet të ndikojnë në përdorimin real të shqipes më shumë se gjuhëtarët? A është prania e fuqishme e shqipes në teknologji tashmë edhe pjesë e mbrojtjes së saj?

Keni shtruar një pyetje sa të rëndësishme po aq të vështirë. Po përpiqem të përgjigjem shkurt. Konteksti shoqëror, politik, ekonomik e kulturor botëror ka ndryshuar shumë dhe njerëzimi po kalon nëpër procese të ndryshme, të përbëra e të rëndësishme, të panjohura e të paprovuara më parë në të gjitha fushat e jetës së tij. Edhe situata botërore gjuhësore është tjetër nga ç’ka qenë dhe ndryshimet që shfaqen në këtë rrafsh janë të kushtëzuara nga ky kontekst i ri. Inteligjenca artificiale nuk është më vetëm një mjet që e përdor gjuhën, por po bëhet edhe një faktor që ndikon në mënyrën se si ajo të shkruhet, të mësohet dhe të përhapet. Nuk mund të dihet saktësisht sa e si do të mund të ndikojnë algoritmet. në përdorimin e përditshëm të shqipes në raport me ndikimin e gjuhëtarëve të paktën për sa i përket përhapjes së modeleve gjuhësore. Siç e dimë, studiuesit, gjuhëtarët, kanë ndikuar dhe mund të ndikojnë përmes studimeve, teksteve normative, gramatikave e fjalorëve, shkollës dhe teksteve shkollore ndërsa një sistem i inteligjencës artificiale mund të prodhojë pa kufi tekste e fjali brenda një kohe shumë të shkurtër. Inteligjenca artificiale mund të ndikojë në përhapjen e formave gjuhësore, në ndryshimin e stilit të të shkruarit, në ndërtimin e fjalive, të teksteve, në zgjedhjen e sinonimeve, në strukturimin e kryerreshtave e të tjera. Gjuha shqipe ende ka pak burime digjitale të strukturuara, ende nuk kemi krijuar korpuse të mëdha gjuhësore për përpunime automatike, ende na nevojiten përmirësime të programeve të përkthimit, të drejtshkrimit dhe të korrigjimit gramatikor. Diçka është bërë në këtë drejtim, s’mund të mohohet, por ende jemi larg gjuhëve të mëdha e të zhvilluara. Përdorimi i shqipes sot dhe ndikimi i gjuhëtarëve në këtë drejtim, lë shumë për të dëshiruar.

Media dhe përgjegjësia ndaj gjuhës

Përgjegjësinë e medias ndaj gjuhës e keni trajtuar shpesh. Në gazetarinë digjitale, ku shpejtësia dhe titulli që tërheq vëmendjen janë bërë vendimtare, çfarë rrezikojmë të humbasim më shumë: saktësinë, pasurinë e fjalorit, ndjenjën e masës apo vetë cilësinë e mendimit? Ku ndahet gjuha tërheqëse nga deformimi i saj?

Në gazetarinë digjitale mendoj se po humbasim të gjitha këto që përmendni e më së shumti cilësinë dhe kthjelltësinë e mendimit, nga e cila varen të tjerat: saktësia e qartësia, përgjegjësia ndaj gjuhës, pasuria e fjalorit, ndjenja e masës, e vërteta dhe etika. Në këtë gjendje sigurisht se ndikojnë shumë faktorë, ndër ta që përmenden shpesh janë shpejtësia për të krijuar lajmin ose çdo tekst tjetër, pastaj të ashtuquajturat klikime, konkurrenca e pabarabartë, tërheqja e vëmendjes së lexuesit, padija, papërgatitja, joprefesionalizmi dhe papërgjegjësia e gazetarëve dhe e mediave të caktuara. Në vend se të jenë media të vërteta e objektive ato shndërrohen kush më pak e kush më shumë në mjete manipuluese ndjenjore, ku mungon përgjegjësia ndaj së vërtetës, ndaj lexuesit, shikuesit dhe publikut. dhe përpjekja për të formësuar mendimin kritik dhe reagimin publik, aq të nevojshëm sot.

Shqipja sot: “qytet në ndërtim e sipër”

Si e shihni gjuhën shqipe sot nga ato që u thanë deri këtu?

E shoh jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si ruajtës të identitetit, të energjisë kombëtare, të njësimit shpirtëror, të kulturës, të traditës, të mençurisë, të përvojës së shumë brezave pararendës.
⠀⠀E shoh si tipar themelor të njeriut shqiptar dhe si tipar themelor të kombit shqiptar.
⠀⠀E shoh si simbol të kombit, si përcaktues dhe si përbërës thelbësor të identitetit tonë, një ind lidhës e koheziv dhe si garancinë më të mirë për njësimin e bashkimin tonë jo vetëm kulturor dhe politik, por edhe fizik.
⠀⠀E shoh si pasurinë e si vlerën më të madhe kombëtare të të gjithë shqiptarëve kudo janë.
⠀⠀E shoh si arsye, si forcë, si mjet, sepse me gjuhën nisin të gjitha të vërtetat e të drejtat tona.
⠀⠀E shoh, si do të thoshte filozofi, eseisti dhe poeti amerikan Ralf Emerson, “si një qytet në ndërtim e sipër, të cilit çdo njeri mund t’i shtojë nga një guralec të vogël”. Dua të them me keqardhje se jo pak folës tanë jo se nuk përpiqen t’ia shtojnë një guralec “qytetit” a gjuhës sonë në ndërtim e sipër, por e gjuajnë me gurë me padijen, me mospërfilljen, me nënçmimin dhe me keqpërdorimin. E do vendi ta sjell këtu mendimin e profesorit dhe studiuesit të shquar Xhevat Lloshi: “Liri e fjalës nuk do të thotë liri e paditurisë në komunikimin publik”.
⠀⠀Ta duam e t’i shërbejmë gjuhës për të na shërbyer ajo.


Fishta, Xoxa e Qosja: tri botë të fuqisë krijuese të shqipes

Gjergj Fishta, Jakov Xoxa dhe Rexhep Qosja janë tri botë shumë të ndryshme gjuhësore që i keni studiuar thellë. Sikur t’i vendosnim në të njëjtën tryezë vetëm si krijues të gjuhës, çfarë do të na dëshmonin së bashku për fuqinë krijuese të shqipes?

Gjergj Fishta, Jakov Xoxa dhe Rexhep Qosja janë autorë të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe njohës e pasurues të mëdhenj të gjuhës shqipe e të estetikës së saj, por njëkohësisht autorë me krijimtari të gjerë e të pasur me vëllim. Po t’i vendosnim këta tre shkrimtarë të mëdhenj si thoni ju, në të njëjtën tryezë, jo thjesht si shkrimtarë, por si krijues dhe përpunues të gjuhës, do të na dëshmonin se shqipja është gjuhë me mundësi të pakufishme për krijim, mendim dhe zhvillim, është gjuhë me potencial të jashtëzakonshëm shprehës, me pasuri të madhe dialektore, me elasticitet stilistik dhe me aftësi e zhdërvjelltësi të shquar për t’u zhvilluar e përtëritur. Këta tre shkrimtarë të mëdhenj nuk i kanë sjellë letërsisë shqipe dhe lexuesit shqiptar vetëm pasuri të madhe gjuhësore, ligjërim të zhdërvjellët dhe art të përsosur, por i kanë sjellë edhe tema të reja, ndjeshmëri të reja artistike, përmbajtje interesante, histori kombëtare, shumë dashuri njerëzore, shumë etikë dhe shumë atdhetari. Ata, me veprën e tyre kanë shprehur qartë, me vendosmëri e qëndrueshmëri edhe njësinë gjeografike të trojeve shqiptare, njësinë e shpirtësisë, të besimeve, të adeteve e zakoneve, në përgjithësi të traditave e të vlerave të kulturës shqiptare, thënë shkurt kanë shprehur kohezionin tonë shpirtëror, moral, kulturor, historik dhe kombëtar.

Në këtë kontekst, a ka raste kur letërsia fiton të drejtën ta sfidojë edhe normën?

Po, ka raste. Letërsia është një nga hapësirat ku norma gjuhësore mund dhe duhet të sprovohet, kur kjo sprovë duhet të nisë ose të nxitet nga kërkesat artistike dhe krijuese. Historia e letërsisë dëshmon se shumë shkrimtarë të mëdhenj nuk janë mjaftuar me mundësitë që u ofronte gjuha standarde, por kanë zgjeruar kufijtë e saj përmes risive leksikore, frazeologjike, sintaksore, dialektore. ligjërimore dhe stilistike. Në anën tjetër edhe historia e gjuhës shqipe ka dëshmuar po kështu se janë pikërisht shkrimtarët ata që historikisht kanë bërë përpjekje më të mëdha dhe që kanë derdhur mund pareshtur për të ndërtuar një gjuhë të pranueshme dhe të kuptueshme për të gjithë shqiptarët, një gjuhë në të cilën do të përdornin talentin e tyre letrar-artistik, një gjuhë artistike që do të kuptohej e përjetohej kuptimisht e estetikisht prej të gjithë shqiptarëve kudo gjendeshin ata. Dhe këtë e dëshmon mirë historia jonë kulturore përgjatë gjysmës së dytë të shekullit 19 dhe në vijim gjatë gjithë shekullit 20. Po, kështu e dimë se norma gjuhësore përcakton rregullat e komunikimit të përbashkët, ndërsa letërsia ka edhe lirinë për të krijuar forma të reja shprehjeje. Shkrimtarët janë të prirë të gjurmojnë në dialektet ose në të folmeve krahinore shprehëse të shqipes për t’i dhënë veprave të tyre origjinalitet dhe identitetet gjuhësor, siç janë të prirë edhe për krijimin e fjalëve të reja, për shmangien a thyerjen e strukturave sintaksore, për përdorimin e fjalëve dhe të formave të moçme gjuhësore, arkaizmave dhe historizmave, për të krijuar bindshmëri e atmosferë historike, tipizim gjeografik, ngjyrim emocional ose thellësi e gjerësi kulturore. Të gjitha këto veprime mund të konsiderohen jo vetëm si shmangie nga norma por edhe si përpjekje për pasurim të shprehjes gjuhësore, si shfrytëzim të pasurisë dhe të gjerësisë së mundësive shprehëse të shqipes. Por, çdo shkelje e normës nuk përbën risi artistike, madje mund ta dëmtojë një vepër.

Fjala që zë kryevendin: “nënë”

Pas një jete të tërë me fjalët, a ka një fjalë shqipe që e doni veçanërisht – jo domosdo si gjuhëtare, por për tingullin, kujtimin apo ndjenjën që ju zgjon? Pse pikërisht ajo?

Janë shumë, shumë, të tilla që i dua si për kuptimin, formën, shqiptimin, tingëllimën. Ai ose ajo që është marrë ose që merret me gjuhën, me fjalën, me kuptimin, me strukturën, me ngjyresat, …, i do të gjitha fjalët e gjuhës amtare pa dallim jo vetëm se janë të gjuhës amtare, as pse është mësuar me to por pse i njeh dhe ia di vlerën e qenësisë së tyre. Megjithatë, në mesin e fjalëve që i dua më shumë janë këto: nënë (nanë), jetë, tokë, qiell, diell, shi, verë … jo vetëm për kuptimin, për tingëllimin, për shkurtësinë apo për lehtësinë e shqiptimit, por pse më zgjojnë çdo herë ndjesi e ndjenja sipërore. Kompozimi, përngjitja e fjalës, në gjuhën shqipe jep mundësi të pakufishme krijimi të fjalëve me kuptime nga më të ndryshmet. Fjalët e tilla janë dobësia ime. E kujt nuk i pëlqejnë fjala vjen ndërtimet si këto që shqipja i krijon me shumë lehtësi: mendjedritë, vështrimbukur, vështrimkthjellët. vështrimegër, zemërdhembshur, fatlindur, dorëngrohtë, ndjenjëmadhe, besëlidhës, besërreme, fjalëvrame, hijemadhe, hirplote, valëqetë, erëqetë, e tjera. Sigurisht jo të gjitha fjalët që krijohen me përngjitje hyjnë në fjalorin standard, në krijimtarinë letrare po, por vazhdojnë të mbeten njësi eksikore konkurruese.

Në “fjalorin” tim kryevendin e zë fjala nënë, për të gjitha ato që i përmendni në pyetjen tuaj, sepse brenda kësaj fjale janë mbrujtur ndjenjat si dashuria, gëzimi , dhembshuria, dhembja, flijimi, loti, frika, prehri, gjiri, gjuha, era, buka, shtëpia, … në të vërtetë në fjalën nënë është mbrujtur fillesa jonë, vetë jeta.

Në botë dhe në numër të madh shtetesh për çdo vit zgjidhet fjala më e bukur. Kriteri i vlerësimit merr parasysh tingëllimin, kuptimin, veçantinë, aktualitetin, ndërthurjen e tyre dhe thellësinë semantike e kulturore. Vlerësohen posaçërisht fjalët që nuk përkthehen në gjuhë të tjera. Do të ishte mirë ta bënim edhe ne një praktikë të tillë, të nxitnim me të “krijuesit” gjuhësorë me dhunti.

Pas gjithë librave, studimeve, viteve kushtuar shqipes dhe punës me Fjalorin e Madh, po e mbyllim aty ku e nisëm – te “Yjësia ime”. Çfarë do të donit që dymbëdhjetë nipat e mbesat tuaja të trashëgonin më shumë prej jush: një shqipe të saktë, një shqipe të pasur apo, mbi të gjitha, dashurinë për gjuhën dhe dëshirën për t’ia përcjellë brezit tjetër?

Do të doja të trashëgonin në rend të parë dashurinë për gjuhën dhe dëshirën për ta bartur të pasardhësit e tyre. Por, për ta dashur e për ta bartur tutje gjuhën amtare, ata, nipat e mbesat e mia, së pari do të doja ta donin shumë veten, jetën, njëri-tjetrin, njeriun dhe vendin e tyre. Vetëm atëherë do ta mund të donin e ta bartnin gjuhën dhe dashurinë ndaj saj edhe te fëmijët e tyre.

Ju faleminderit!
Gëzuar Festat e Nëntorit!

/Telegrafi/

Lexo edhe

Dolce “i vuri flakën rrjetit”, poston video me të dashurin e saj

Dolce “i vuri flakën rrjetit”, poston video me të dashurin e saj

“Dita e fundit e pritjes”, premierë në Prishtinë e filmit të Albina Muçaj Osmanit

“Dita e fundit e pritjes”, premierë në Prishtinë e filmit të Albina Muçaj Osmanit

“Loja e Kurtit me numra”, Vllahiu: Realiteti i qytetarëve është ndryshe nga ai i Qeverisë (VIDEO)

“Loja e Kurtit me numra”, Vllahiu: Realiteti i qytetarëve është ndryshe nga ai i Qeverisë (VIDEO)