Nissan dhe Opel janë markat më të lira, ndërsa pas tyre renditen Renault, Citroën dhe Peugeot. Në anën tjetër, pronarët e veturave elektrike Porsche duhet të paguajnë shumë më tepër për pjesët rezervë.

Nëse një veturë elektrike ka nevojë për riparim, marka e saj luan rol vendimtar në përcaktimin e kostos së zëvendësimit të pjesëve rezervë. Çmimet e tyre për disa marka mund të jenë më shumë se tri herë më të larta sesa për të tjerat. Këtë e tregon një analizë e re e çmimeve të 250 mijë pjesëve rezervë të përdorura për vetura elektrike, e realizuar nga kompania daneze Autoparts24.
Edhe pse veturat elektrike kanë më pak pjesë lëvizëse dhe, në përgjithësi, janë më të lehta për t’u servisuar dhe mirëmbajtur, çmimet e pjesëve rezervë shpesh janë dukshëm më të larta sesa te veturat me motorë benzinë ose naftë.
Kështu, marka e veturës përcakton edhe shumën që pronarët duhet të paguajnë për zëvendësimin e një pjese. Pronarët e veturave elektrike Nissan, Opel dhe Renault përfitojnë dukshëm më shumë, pasi paguajnë afërsisht gjysmën e shumës që paguajnë pronarët e Polestar dhe BMW-së, si dhe më pak se një të tretën e kostos që duhet të përballojnë pronarët e Porsche-s.
Analiza e kompanisë Autoparts24 përfshiu çmimet e 12 pjesëve të zakonshme rezervë të përdorura. Në mesin e tyre janë pasqyrat anësore, dritat e pasme, parakolpët e pasmë, kamerat për vozitje prapa, jastëkët e ajrit, frenat dhe amortizatorët.
Nissan dhe Opel rezultojnë markat më ekonomike. Të 12 pjesët për këto dy marka mund të sigurohen për një çmim të përgjithshëm prej rreth 1.070 eurosh.
Pas tyre renditen Renault, Citroën dhe Peugeot, pjesët e të cilave janë pak më të shtrenjta, me çmime që variojnë nga 1.123 deri në 1.170 euro.
Në anën tjetër, ndër markat me pjesët rezervë më të shtrenjta janë Jaguar, Audi, Polestar dhe BMW. Për 12 pjesët e analizuara të këtyre veturave nevojiten nga 2.000 deri në 2.274 euro, që është deri në dyfishin e kostos së markave më të lira.
Në krye të listës qëndron Porsche, ku të njëjtat 12 pjesë rezervë kushtojnë pothuajse 3.470 euro.
“Veturat elektrike përmbajnë shumë teknologji, gjë që ndikon në rritjen e çmimeve të shumë pjesëve. Pasqyrat e jashtme të ditëve të sotme janë të pajisura me teknologji si sensorë dhe drita, prandaj zëvendësimi i tyre mund të jetë i kushtueshëm. E njëjta vlen edhe për fenerët, zëvendësimi i të cilëve mund të kushtojë mijëra korona”, ka deklaruar Troels Meier, drejtor i kompanisë Autoparts24.
Ai thekson se shumica e blerësve, kur zgjedhin një veturë elektrike, përqendrohen te çmimi, autonomia dhe karikimi, por duhet të marrin parasysh edhe shpenzimet e mundshme të riparimit.
Sipas tij, dallimet mes markave janë aq të mëdha sa që, në rast të ndonjë defekti, kostot mund të arrijnë në disa mijëra euro.
Si është realizuar analiza?
Hulumtimi është bazuar në rezervat e kompanisë Autoparts24, e cila ka rreth 250 mijë pjesë rezervë të përdorura për vetura elektrike.
Çmimi i secilës pjesë paraqet mesataren për markën përkatëse, të ponderuar sipas numrit të pjesëve të disponueshme në stok. Në analizë janë përfshirë vetëm markat për të cilat kompania kishte të paktën 2.000 pjesë rezervë në dispozicion.
Të dhënat për çmimet janë mbledhur në nëntor të vitit 2026.
Autoparts24 është kompani daneze dhe një nga platformat më të mëdha online në Evropë për shitjen e pjesëve rezervë origjinale të përdorura. /Telegrafi/





