Rigjykimi për vrasjen e 19-vjeçares, eksperti konstaton se viktima kishte nëntë plagë prerëse dhe shpuese

Rigjykimi për vrasjen e 19-vjeçares, eksperti konstaton se viktima kishte nëntë plagë prerëse dhe shpuese

Rigjykimi për vrasjen e 19-vjeçares, eksperti konstaton se viktima kishte nëntë plagë prerëse dhe shpuese

Në Gjykatën e Prizrenit ka vazhduar rigjykimi ndaj Sead Halilajt, i akuzuar për vrasjen e rëndë të 19-vjeçares I.K.

Sponsor 3M Express

Sipas aktakuzës, Halilaj dhe Senad Kullaj, vëllai i viktimës, e kishin privuar nga jeta I.K., pasi ajo nuk kishte pranuar të kthehej në shtëpi, ndërsa familja nuk pajtohej me punën e saj si këngëtare dhe valltare në një lokal nate në Mitrovicë.

Halilaj ishte dënuar më herët me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë.

Aktgjykimi i shkallës së parë ishte shpallur më 24.02.2026, por çështja ishte kthyer në rigjykim pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Pas rastit, Halilaj ishte larguar nga Kosova. Ai ishte ekstraduar nga Britania e Madhe në Kosovë në gusht të vitit 2024, ndërsa Prokuroria e Prizrenit më pas kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për vrasje të rëndë.

Gjatë seancës me propozimin e avokatit të të akuzuarit, Fanol Krasniqi, është dëgjuar eksperti mjekoligjor Musa Gashi, i cili ka dhënë sqarime lidhur me plagët e konstatuara në trupin e viktimës dhe mbi rrethanat e vdekjes.1

Gjatë pyetjeve të avokatit Krasniqi, eksperti ka deklaruar se në trupin e viktimës janë konstatuar plagë të shumta prerëse dhe shpuese, të cilat janë të shkaktuara nga një mjet me teh dhe maje.

Ai ka dhënë sqarime mbi plagën e cila ishte në pjesën e përparme të qafës ku dhe e njëjta sipas tij ka qenë plaga vdekjeprurëse, pasi që kishte dëmtuar edhe struktura të tjera e deri në pjesën e pasme të qafës, përkatësisht unazat e qafës.

“Për dallim nga plagët e tjera prerëse shpuese, ka prekur edhe struktura tjera në regjionin e qafës, të cilat janë të përshkruara një nga një” – deklaroi eksperti.

Ndërsa për plagët e tjera, eksperti ka thënë se të marra veç e veç, me përjashtim të plagës në qafë kualifikohen si lëndime të lehta trupore, por të gjitha së bashku përbëjnë lëndime të rënda trupore, për shkak të gjakderdhjes së shkaktuar nga secila prej tyre.

Ndërsa duke iu referuar plagëve në të dyja duart, eksperti ka thënë se nuk përjashtohet edhe mundësia që ato të jenë plagë mbrojtëse.

Gjithashtu i pyetur nga avokati Krasniqi, eksperti ka sqaruar se në bazë të plagëve mund të supozohet se viktima dhe agresori kanë qenë përballë njëri-tjetrit si dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që agresori të ketë qenë mbrapa viktimës.

“Plaga prerëse shpuese në shuplakat e duarve që ne nuk e përjashtuam mundësinë që të jenë vetëmbrojtëse padyshim që pozicioni i viktimës dhe agresori është ballë për ballë, ndërsa nuk mund ta them edhe mënyrën se si janë shkaktuar plagët e tjera” – tha eksperti Gashi.

Ndërsa gjatë pyetjeve të prokurorit Mehdi Sefa se sa goditje i janë shkaktuar viktimës, eksperti ka deklaruar se në raport të autopsisë janë evidentuar nëntë plagë prerëse dhe shpuese të cilat kanë qenë në pjesë të ndryshme të trupit.

Gjithashtu i pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, lidhur me kohën e vdekjes së viktimës, eksperti ka qëndruar pranë konstatimeve të tij se vdekja e I.K. ka ndodhur gjatë kohës 04:00 e deri në ora 06:00, e duke dhënë sqarime se përfundimi është bazuar në temperaturën e trupit, njollat kufomore dhe shtangimin e kufomës.

Trupi gjykues me në krye të Artan Sejranin, dhe anëtaret Teuta Krusha dhe Sadije Selmani, kanë aprovuar kërkesën e avokatit Krasniqi lidhur me dëgjimin e ekspertit Arsim Gërxhaliu si dhe ka aprovuar leximin e dëshmive të dhëna më parë të dëshmitarëve e duke e refuzuar propozimin e dëgjimit të xhaxhait të viktimës Rr.K.

Propozimi për dëgjimin e xhaxhait te viktimës, Rr.K. u bë nga ana e avokatit Krasniqi, ndërsa u refuzua nga prokurori Sefa me arsyetimin se i njëjti nuk ka relevancë e duke e ditur se në bazë të informatave familja e viktimës I.K. nuk e kanë pranuar as kufomën e të ndjerës.

“Aq më parë duke e ditur se ajo familje në bazë të informatave që i kemi pasur nga hetuesit as nuk kanë pranuar as kufomën e të ndjerës” – tha prokurori Sefa.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës, Sead Halilaj akuzohet se më 04.06.2013, në Prizren, në bashkëkryerje me Senad Kullajn, tashmë të dënuar, e ka privuar nga jeta I.K. në mënyrë mizore dhe tinëzare dhe për motive të ulëta.

Në aktakuzë thuhet se Halilaj dhe Kullaj kishin ardhur nga Shkodra për ta vizituar I.K., e cila punonte si këngëtare dhe valltare në lokalin “Shtutica” në Mitrovicë, në pronësi të Milazim Sylës.

Ata ishin takuar në Prizren, ku I.K. po qëndronte në shtëpinë e F.R., në të cilën kishte banuar më herët.

Sipas Prokurorisë, në orët e mëngjesit, pasi I.K. nuk ishte pajtuar të kthehej në shtëpi, ndërsa familja nuk pajtohej me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës, Halilaj dhe Kullaj kishin filluar ta godisnin me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

I.K. kishte pësuar plagë prerëse dhe shpuese në kokë, qafë, kraharor, shpinë dhe duar. Plaga në qafë ia kishte dëmtuar rrugët e ushqimit dhe të frymëmarrjes, si dhe enët e gjakut dhe nervat në atë pjesë.

Sipas aktakuzës, plagët e shumta kishin shkaktuar vdekjen e dhunshme të I.K. si pasojë e gjakderdhjes masive.

Për këto veprime, Sead Halilaj akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, raporton Kallxo.

Lexo edhe

Frojdi, princesha që iu nënshtrua operacioneve dhe e vërteta shkencore për orgazmën femërore

Frojdi, princesha që iu nënshtrua operacioneve dhe e vërteta shkencore për orgazmën femërore

Hakerët depërtojnë në sistemet e CIA-s dhe Inteligjencës Amerikane, ekspozohen informacione

Hakerët depërtojnë në sistemet e CIA-s dhe Inteligjencës Amerikane, ekspozohen informacione

Nga një restorant në Kaliforni te gjiganti i inteligjencës artificiale – historia e Huang dhe NVIDIA-s

Nga një restorant në Kaliforni te gjiganti i inteligjencës artificiale – historia e Huang dhe NVIDIA-s