Sipas “TeamTalk”, Real Madrid po e përcjell nga afër mbrojtësin e Brighton & Hove Albion, Luka Vuskovic, si një objektiv të mundshëm për transferim.

Megjithatë, “Los Blancos” tashmë kanë konkurrencë nga rivalët e tyre të përbetuar, Barcelona, në garën për 19-vjeçarin dhe reprezentuesin e Kroacisë.
Real Madrid ka investuar shumë në përforcimin e repartit defensiv gjatë dy afateve të fundit kalimtare të verës, por duket se ristrukturimi i mbrojtjes do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2027.
Antonio Rudiger pritet ta përfundojë kontratën në fund të këtij sezoni, ndërsa, sipas situatës aktuale, Los Blancos nuk planifikojnë t’i ofrojnë vazhdimin e saj.
Ndërkohë, edhe Raul Asencio, i cili është produkt i akademisë së klubit, pritet të largohet, qoftë në janar apo gjatë verës, duke krijuar kështu një tjetër hapësirë në pozitën e qendërmbrojtësit.
Për këtë arsye, gjiganti nga kryeqyteti spanjoll synon të transferojë të paktën një qendërmbrojtës të ri në verën e vitit 2027.
Emra si Nico Schlotterbeck i Borussia Dortmundit, i cili ishte objektiv edhe gjatë verës së kaluar, vazhdojnë të lidhen me Real Madridin.
Por, sipas raportimit të lartpërmendur, Real Madrid po e përcjell nga afër edhe Vuskovicin dhe paraqitjet e tij te Brighton & Hove Albion.
Vuskovic iu bashkua Brightonit vetëm gjatë verës së kaluar, në një marrëveshje prej 50 milionë funtesh nga Tottenham Hotspur, pasi kishte lënë përshtypje të mira gjatë huazimit te Hamburgu në sezonin e kaluar.
Që nga transferimi te “Pulëbardhat”, adoleshenti ka regjistruar 16 paraqitje në të gjitha garat për skuadrën e drejtuar nga Fabian Hurzeler, duke shënuar një gol dhe dhënë dy asistime.
Me 12 paraqitje për Kombëtaren e Kroacisë, Vuskovic ka tërhequr vëmendjen falë lojës së tij në ajër, forcës fizike dhe aftësisë për ta kontrolluar topin.
Megjithatë, transferimi i tij nuk do të jetë aspak i lehtë për Real Madridin, pasi interesim për të ka shfaqur edhe Barcelona, e cila po kërkon përforcime në repartin defensiv.
Edhe gjiganti i Premierligës, Liverpooli, është i interesuar për të, pasi e sheh 19-vjeçarin si zëvendësues afatgjatë të Virgil van Dijkut.
Pengesa më e madhe, megjithatë, pritet të jetë qëndrimi i Brightonit, i cili nuk dëshiron ta shesë përforcimin e tij kryesor kaq shpejt pas transferimit të tij.
Vuskovic ka kontratë me “Pulëbardhat” deri në vitin 2031 dhe është i lumtur në klub, ku gëzon besimin e plotë të trajnerit.
Një largim në janar është përjashtuar plotësisht, ndërsa një shitje e mundshme gjatë verës do të kërkonte një shumë të madhe parash, duke e bërë marrëveshjen të vështirë për t’u realizuar.
Burimi: Insajderi




