Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar edhe këtë mëngjes një nga bizneset e dëmtuara gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar të enjten në Tiranë.
Rama ka njoftuar se qeveria do t’u vijë në ndihmë të gjitha bizneseve të vogla që kanë pësuar dëme gjatë protestave.

Për këtë qëllim, sipas tij, në platformën e-Albania është hapur një dritare e posaçme ku bizneset mund të deklarojnë dëmet e shkaktuara. Ndërkohë, 10 grupe të administratës tatimore do të dalin në terren për të verifikuar dëmet.
Rama ka shpjeguar se bizneset duhet të plotësojnë të dhënat e tyre personale dhe të biznesit, si dhe të paraqesin dëshmi për dëmet e shkaktuara.
“Po bëjmë verifikime. Kemi bërë gati një dritare që do të shfaqet tek e-Albania, ku do të mund të regjistroheni duke futur të gjitha të dhënat: emër, mbiemër, identitetin dhe NIPT-in. Pastaj e-mailin, numrin e celularit, të dhëna si sipërfaqja, kompania e sigurimit, parashikimi i dëmit dhe më pas do të ngarkoni dokumentet, që janë pamjet, bashkë me faturat”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se do të verifikohet edhe raporti i bizneseve me shtetin sa i përket pagesës së detyrimeve, ndërsa pas përfundimit të verifikimeve do të krijohet një regjistër i plotë i dëmeve.
“Pasi të bëjmë verifikimet, do të mbledhim një regjistër të të gjitha dëmeve. Ne do t’ju vijmë në ndihmë të gjithëve”, ka thënë ai.
Rama ka bërë të ditur se 10 grupe të administratës tatimore do të dalin në terren për të mbledhur të dhënat mbi dëmet e shkaktuara në bizneset e vogla të kryeqytetit.
“Çdo biznes që është dëmtuar nga vala e dhunës së verbër ka një dritare ku do të mund të regjistrojë dëmin. Siç u thashë miqve të dëmtuar në këtë biznes të vogël, 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël në kryeqytet. Do t’i kthejmë gërmadhat e verbërisë në shembuj të forcës”, ka deklaruar Rama.
Burimi: Dukagjini




