Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se rritja e inflacionit në Kosovë po ndikon drejtpërdrejt në uljen e standardit të jetesës së qytetarëve, duke kërkuar nga Qeveria ndërmarrjen e masave konkrete për frenimin e tij.
Në emisionin FIVE, pasi inflacioni në Kosovë arriti në 7.1 për qind në tetor 2026, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Rafuna tha se Kosova ka inflacionin më të lartë në rajon dhe se nevojiten veprime urgjente për të zbutur ndikimin e tij te qytetarët.

Ai theksoi se Oda Ekonomike ka kërkuar vazhdimisht që Qeveria të përgatisë një pako masash, në mënyrë që rritja e çmimeve të mos rëndojë edhe më shumë buxhetin e familjeve.
Rafuna tha se rritjet më të mëdha të çmimeve janë regjistruar te produktet dhe shërbimet bazike, përfshirë energjinë elektrike, gazin, pijet dhe ushqimin.
“Është mesazh që duhet të ndërmarrë veprime, hapa konkretë për ta zbutur, aq sa është e mundur, inflacionin. Kosova ka inflacionin më të lart në rajon dhe për këtë na duhen hapa urgjentë, ne edhe përmes mediumit tuaj edhe në paraqitjet tona që i kemi pasur, kemi kërkuar që të ndërmerren Qeveria, të përgatit një paketë, në mënyrë që të ndikojë sa më pak në uljen e inflacionit e qytetarët e Republikës Kosovës mos ta vërejnë kaq shumë shtrenjtimin e produkteve ose shportës ditore, se nuk po folim për prodhimet ose produkte të luksit, po po folim për shportën ditore që e shfrytëzojmë”, ka deklaruar ai.
Ai veçoi edhe rritjen prej 21 për qind të çmimeve në sektorin e transportit, sipas të dhënave të ASK-së, duke e lidhur këtë me shtrenjtimin e derivateve të naftës.
Sipas tij, rritja e çmimit të naftës nuk ndikon vetëm te transporti, por edhe te çmimet e produkteve të tjera, për shkak të kostos më të lartë të transportit të mallrave. Kjo, sipas Rafunës, është veçanërisht e ndjeshme për Kosovën, e cila ka varësi të madhe nga importi.
Burimi: Dukagjini





