Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim ndaj V. R., i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vëllait të saj, si dhe për plagosjen e dy personave të tjerë në fshatin Livoç i Ultë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 9 tetor 2026, rreth orës 14:21. I dyshuari, pas një mosmarrëveshjeje për motive ende të panjohura, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri ndaj bashkëshortes së tij, e cila ndodhej në ulësen e pasagjerit, duke e privuar nga jeta.
Më pas, ai dyshohet se ka ndaluar pranë veturës ku ndodheshin vëllai i bashkëshortes dhe dy persona të tjerë, ndaj të cilëve ka shtënë me armë.
“i pandehuri fillimisht së bashku me të ndjerën shkon në fshatin Pozheran, Komuna Viti tek familja e të ndjerës, mirëpo kthehen menjëherë në drejtim të Gjilanit, ndërsa të dëmtuarit M. dhe R. B. me tani të ndjerin E. B. me veturën Pikap Opell Combo me targa 239-HM shkojnë pas tij me qëllim që të bisedojnë, në hyrje të fshatit Livoç i Ultë e tejkalojnë dhe ndalen ta presin, mirëpo i pandehuri me veturën Tiguan, ngjyrë e zezë me targa 06-767-HK vazhdon në drejtim të Gjilanit, gjatë së cilës kohe me armën e llojit Beretta, me nr. serik PX321722 përderisa ishte duke vozitur, shtie në distancë të afërt në drejtim të bashkëshortes së tij, tani të ndjerës N. e cila ishte e ulur përpara, në anën e djathtë të pasagjerit duke e privuar nga jeta, pastaj kthehet përsëri në një rrugë tjetër, në hyrje të fshatit Livoç dhe veturën e ndal pas veturës Pikap ku ishin të dëmtuarit dhe tani i ndjeri, të cilët dalin nga vetura, ndërsa i pandehuri me armën e llojit Bereta del nga vetura dhe ju thotë: “ unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra” dhe përnjëherë shtie në drejtim të tyre ku i dëmtuari R. arrin të ikën, ndërsa të dëmtuarin M. e plagosë, mirëpo i njëjti arrin të ikë në një oborr të një shtëpie, mirëpo tani i ndjeri E. B. nuk arrin të ikë dhe të njëjtin e privon nga jeta në vendin e ngjarjes pasi shtie disa herë në drejtim të tij, me pas veturën e tij të markës Tiguan ku ishte e ndjera N. B. e dërgon në oborrin e spitalit rajonal të Gjilanit, para emergjencës dhe e lë aty, ndërsa vetë shkon dhe dorëzohet në polici”, thuhet në komunikatë, përcjell Klankosova.tv
Gjykata ka bërë të ditur se i dyshuari ngarkohet me veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media./Klankosova.tv




