Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre ose anëtarët e familjes gjatë vitit 2025, sipas një raporti të publikuar sot më 24 nëntor nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women.

Raporti, i publikuar në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, më 25 nëntor, tregon se, ashtu si në vitet paraprake, shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.
Nga rreth 78 mijë gra dhe vajza të vrara në botë gjatë vitit 2025, 60 për qind u vranë nga partnerët ose familjarët e tyre, transmeton klankosova.tv.
Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo ditë 129 gra dhe vajza u vranë nga njerëzit e rrethit të tyre më të afërt.
Sipas raportit, numri i viktimave ishte veçanërisht i lartë në Afrikë, ndërsa gratë dhe vajzat ishin relativisht më të sigurta në Evropë.
Drejtoresha e UNODC-së, Monica Juma, tha se normat shoqërore dhe dështimi i mekanizmave institucionalë të mbrojtjes krijojnë një mjedis në të cilin vrasja e një bashkëshorteje, vajze, nëne apo motre “bëhet e tolerueshme”.
Ndryshimi i këtij realiteti, sipas saj, kërkon veprime të vazhdueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Drejtoresha ekzekutive e UN Women, Sima Bahous, bëri thirrje për veprime urgjente, në mënyrë që asnjë shenjë paralajmëruese e dhunës të mos shpërfillet, asnjë e mbijetuar të mos mbetet pa mbrojtje dhe asnjë autor i krimit të mos i shpëtojë përgjegjësisë.
Të dhënat e OKB-së tregojnë se, ndonëse shkalla e vrasjeve në nivel global është në rënie, ajo e femicidit – vrasjes së grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre – bie me ritme shumë më të ngadalta.
Në Evropë, për shembull, shkalla e përgjithshme e vrasjeve ra për 43 për qind nga viti 2010 deri më 2025, ndërsa ajo e femicidit për vetëm 28 për qind.





