E diela njihet si dita e pushimit, e kafes me familjen dhe e momenteve të qeta pas një jave të ngarkuar. Megjithatë, për shumë njerëz, mbrëmja e së dielës sjell një ndjenjë të çuditshme mërzie, ankthi dhe shqetësimi për fillimin e javës së re.

Ky fenomen njihet si “Sunday Scaries”, një term që përdoret për të përshkruar ndjenjën e ankthit që shfaqet kur fundjava po përfundon dhe afrohen përgjegjësitë e së hënës.
Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, kjo ndjenjë lidhet me stresin dhe mendimet për obligimet që na presin gjatë javës.
Puna, shkolla, provimet, takimet, afatet dhe detyrat e papërfunduara janë vetëm disa nga arsyet që mund ta shndërrojnë një mbrëmje të qetë të së dielës në një periudhë shqetësimi.
Te disa persona, ky fenomen shoqërohet me nervozizëm, vështirësi në gjumë, lodhje dhe mungesë përqendrimi.
Por pse ndodh pikërisht të dielën?
Gjatë fundjavës, shumica e njerëzve largohen nga rutina e përditshme dhe kanë më shumë kohë për veten. Ndërsa afrohet e hëna, mendja fillon të përgatitet për rikthimin te përgjegjësitë, duke krijuar ndonjëherë ndjenjë presioni.
Ekspertët këshillojnë që e diela të mos kalohet vetëm duke menduar për punën apo obligimet e javës së ardhshme.
Një shëtitje në natyrë, një film, një kafe me miqtë apo planifikimi i thjeshtë i detyrave mund të ndihmojnë në zvogëlimin e shqetësimit.
Gjithashtu, mbajtja e një orari të rregullt të gjumit dhe shmangia e punëve të panevojshme në orët e vona mund ta bëjnë më të lehtë fillimin e javës.
Megjithatë, nëse ankthi bëhet i vazhdueshëm dhe ndikon në jetën e përditshme, mund të jetë e dobishme të kërkohet këshillë profesionale.
Pra, nëse edhe juve ju ndryshon disponimi të dielën në mbrëmje, nuk jeni të vetmit që e përjetoni këtë fenomen.
Po ju, a ju kap mërzia të dielave kur mendoni se nesër është e hënë?
/GazetaSinjali/
The post Pse të dielave na kap mërzia kur afrohet e hëna? Fenomeni që shumë njerëz e përjetojnë, por pak e kuptojnë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




