Trazirat shpërthyen të shtunën në qytete të ndryshme të Francës, ndërsa demonstratat kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike dolën jashtë kontrollit, duke çuar në një nga valët më të dhunshme që vendi ka përjetuar në dekada.

Sipas Reuters, teksa qindra mijëra njerëz protestuan në mënyrë paqësore në marshime në dhjetëra qytete, grupe të dhunshme sulmuan ndërtesa publike, plaçkitën dyqane luksoze e supermarkete, si dhe sulmuan automjete e oficerë policie, transmeton Klankosova.tv.
Në Limoges, bashkia u përfshi nga flakët; në Marsejë, protestues të veshur me të zeza hynë me forcë në bashki dhe e vandalizuan ndërtesën me grafite anarkiste; ndërsa në Lion, protestuesit i vunë zjarrin zyrës së turizmit të qytetit.
Ministri francez Sebastien Lecornu deklaroi se qeveria nuk do të “frikësohet” nga dhuna, duke ia atribuuar trazirat “të majtës ekstreme” dhe kriminelëve, vetëm pak muaj para zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, u tha gazetarëve se rreth 400 persona janë arrestuar pas incidenteve të dhunshme, shumica e të cilëve janë të rritur.
Ai bëri të ditur se në demonstratat në mbarë vendin morën pjesë rreth 550,000 njerëz. Sindikata CGT deklaroi për agjencinë Reuters se, sipas vlerësimeve të saj, numri i protestuesve arrinte në 800,000.
Presidenti Emmanuel Macron u zotua se do t’i ndjekë penalisht dhe do t’i ndëshkojë personat që kanë kryer sulme të tilla.
“Të gjithë ne do të qëndrojmë të bashkuar kundër atyre që mbjellin kaos, të cilët kërkojnë vetëm të minojnë institucionet tona dhe t’u pengojnë atyre që duan t’i shprehin kërkesat e tyre në mënyrë paqësore,” shkroi ai në një postim në X.
Edhe Belgjika, Portugalia dhe Italia përjetuan protesta në shkallë më të vogël të shtunën, në një kohë kur kostoja e jetesës në Evropë po rritet; ndërkohë, në Shqipëri, protestuesit u mblodhën sërish për të kundërshtuar atë që e shohin si korrupsion qeveritar, mungesë vendesh pune dhe standarde të dobëta në arsim. /Klankosova.tv




