Monika Lubonja ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me ngjarjen që ditët e fundit ka marrë vëmendje të madhe në opinionin publik, pas publikimit online të disa materialeve intime ku ajo shfaqet me kompozitorin Adrian Hila.
Aktorja ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në Instagram një kopje të kallëzimit penal që thotë se ka ngritur ndaj kompozitorit, ndërsa përmes një shkrimi të gjatë ka dhënë edhe versionin e saj për ngjarjen dhe u është drejtuar mediave dhe opinionit publik.
Lubonja thotë se është ndier e lënduar nga shkelja e privatësisë dhe besimit, ndërsa thekson se nuk ka pasur dijeni për regjistrimin e materialeve dhe nuk ka dhënë pëlqimin që ato të publikoheshin apo shpërndaheshin.
“Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia, por edhe me vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj”, shkruan aktorja.
Ajo kërkon që të ndalet ajo që e cilëson si “baltosje” ndaj saj në emër të një morali kolektiv, duke thënë se nuk ndihet e turpëruar për ndjenjat dhe besimin që ka dhënë në një marrëdhënie.
“Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zhbëhet nga tradhtia e dikujt të cilit i fala disa vite të jetës sime”, shprehet Lubonja.
Më tej, ajo mohon të ketë qenë në dijeni për regjistrimin e materialeve intime.
“Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të regjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”, shkruan aktorja.
Lubonja u është drejtuar edhe mediave, duke kërkuar që të respektohet privatësia e saj dhe të mos publikohen apo komentohen në mënyrë spekuluese materialet intime.
“Mediave u kërkoj të respektojnë privatësinë time dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me publikime të materialeve intime”, shkruan ajo.
Ndërsa opinionit publik i ka kërkuar që të mos e trajtojë situatën si një formë argëtimi dhe të mos e gjykojë për besimin që, sipas saj, i ka dhënë personit me të cilin kishte qenë në marrëdhënie.
“Opinionit publik i kërkoj të mos e kthejë dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë”, shprehet Lubonja.
Foto: Monika Lubonja/Instagram
Aktorja ka bërë të ditur se çështjen e ka adresuar në rrugë ligjore dhe se synon ta ndjekë atë deri në fund.
“I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund”, shkruan ajo, duke shtuar se beson se e vërteta do të dalë në pah përmes procesit ligjor.
Në fund të reagimit të saj, Lubonja shprehet se shpreson të gjejë forcën për ta përballuar këtë periudhë pa e kthyer dhimbjen në urrejtje.
“Zotit i kërkoj forcë që kjo plagë të mos ma mbushë zemrën me urrejtje. Besoj se ai e njeh të vërtetën time dhe pres që drejtësia të bëjë punën e saj”, përfundon ajo. /Telegrafi/




