Presidenca njofton se presidentja Shiroka Pula vlerësoi punën dhe përkushtimin e përfaqësueseve të strehimoreve, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në mbrojtjen e grave, garantimin e sigurisë së tyre dhe mbështetjen për riintegrim në shoqëri.
Ajo po ashtu ka theksuar se mbrojtja e grave nga dhuna dhe garantimi i dinjitetit të tyre janë përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore, duke nënvizuar se asnjë grua nuk duhet të përballet e vetme me dhunën apo vështirësitë.

Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula shprehu interesimin për sfidat dhe nevojat konkrete me të cilat përballen strehimoret, si dhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit me institucionet, në mënyrë që shërbimet për gratë që përballen me dhunë të jenë të qëndrueshme, të qasshme dhe efektive, thuhet në njoftim.
Presidentja theksoi gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me përfaqësueset e strehimoreve dhe për shqyrtimin e mundësive për mbështetjen e punës së tyre, si dhe për adresimin e çështjeve që kërkojnë vëmendje institucionale.
Burimi: RTKLive




